E Shtunë, 31 Tetor 2026

U ringritën gjatë natës, bashkia riprish ndërtimet pa leje në Pyllin e Sodës

prishja-e-ndertimeve-palejeVlorë- Paçka gjatë ditës së djeshme inspektoriati i policisë bashkiake në qytetin bregdetar prishi objektet e ndërtuara pa leje në zonën turistike të Pyllit të Sodës, ato u ringritën shumë shpejt gjatë natës.

Në këto kushte policia i është rikthyer edhe sot riprishjes së lokave dhe bareve të improvizuara gjatë natës në zonë duke sfiduar shtetin, duke paralajmëruar se aksioni për prishjen e tyre do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Vlorë ka vijuar nën drejtimin e vetë kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika.

Vetëm dje në këtë zonë janë prishur 20 ndërtime pa leje. Gjithashtu është ngritur një grup pune që bën verifikimin e sa ndërtimeve të tjera do të jenë objektiv i prishjes.

Kreu i bashkisë së qytetit bregdetar Shpëtim Gjika u shpreh: “Operacioni për ndërtimet që prishin imazhin e vijës bregdetare do të vazhdojë. Do të prishen të gjitha ndërtimet pa leje dhe do të rishikohen lejet që bien ndesh me planin urbanistik,- u shpreh ai.

Gjithashtu Gjika i bëri thirrje drejtorisë së Aluizmit që të ndalë proceset e legalizimit për të gjitha objektet që së fundmi u vetëdeklaruan në zyrat e shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›