E Shtunë, 31 Tetor 2026

U zhduk ne 2009, gjendet i dekompozuar trupi i gardianit

BERAT- Më shumë se një vit nga zhdukja është gjendur i vdekur një ditë më parë Foto Buhali, ish-gardian i dhomave të paraburgimit në Drejtorinë e Policisë Berat. Teksa familjarët kujtonin se ai mund të ishte larguar jashtë vendit, kufoma e dekompozuar e 52-vjeçarit Buhali është gjetur në një nga shtëpitë e pabanuara të lagjes muzeale "Kala" të Beratit. Pronari i kësaj shtëpie, Josif Nushi kishte vite që ndodhej në emigrim së bashku me familjen dhe në shtëpinë e tij nuk jetonte apo kujdesej njeri. Ka qenë pronari i banesës i sapokthyer dje nga emigrimi, i cili në momentin e hapjes së portës ka gjetur të dekompozuar dhe të mbuluar nga bari trupin e dekompozuar të ish-gardianit. Pas ardhjes së policisë e dërgimin në morgun e spitalit, viktima është identifikuar nga familjarët. Nga hetimet e para rezulton se ish-gardiani është vrarë me pistoletën e punës, armë automatike e tipit "TT", me një goditje në gjoks. Arma iu gjet mbi trupin e dekompozuar. 52-vjeçari Buhali ishte zhdukur në mënyrë misterioze në 2 mars 2009. Pas kërkimeve pa rezultat, bashkëshortja e tij Eli Buhali denoncoi në polici. Policia pohon se ai ishte frekuentues i rregullt i lojërave të fatit ku edhe kishte humbur shuma të konsiderueshme. Përballë kësaj situate (borxhe të shumta), në paraditen e 2 marsit, në vend që shkonte në punë ka shkuar në njërën nga banesat e pabanuara të lagjes "Kala", ku edhe banonte. Aty dyshohet të ketë realizuar vetëvrasjen. "Dyshimi, pista dhe provat e para evidentojnë një rast vetëvrasjeje. Por, pritet përfundimi i plotë i hetimit për të përcaktuar shkaqet e ngjarjes", - pohojnë drejtues të policisë së Beratit.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›