E Diel, 1 Nëntor 2026

UASHINGTON – JD Vance: SHBA-ja dhe Irani “shumë pranë” një marrëveshjeje, por ende pa dakordësi finale

UASHINGTON, 29 maj /ATSH/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani vijojnë negociatat për arritjen e një marrëveshjeje mbi konfliktin, megjithatë disa çështje kyçe mbeten ende të pazgjidhura, deklaroi sot zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, sipas BBC.

I pyetur nëse presidenti Donald Trump është pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje, Vance u shpreh se është ende herët për të përcaktuar “nëse dhe kur” palët do të finalizojnë një pakt.

Më herët, zyrtarët amerikanë thanë se Uashingtoni dhe Teherani kishin rënë dakord mbi një kornizë paraprake marrëveshjeje, të njohur si memorandum mirëkuptimi, në pritje të miratimit të presidentit Trump dhe udhëheqjes iraniane.

Sipas raportimeve, dokumenti parashikon zgjatjen e armëpushimit për 60 ditë dhe nisjen e bisedimeve mbi të ardhmen e programit bërthamor iranian.

Megjithatë, agjencia gjysmëzyrtare iraniane “Tasnim” raportoi se marrëveshja ende nuk është finalizuar apo konfirmuar zyrtarisht.

Raportet sugjerojnë se korniza e propozuar mund të garantojë kalim “të pakufizuar” në Ngushticën e Hormuzit dhe t’i japë Iranit 30 ditë kohë, për të hequr minat detare nga korridori strategjik i transportit.

Gjithashtu, SHBA-ja pritet të heqë bllokadën dhe të lëshojë përjashtime nga sanksionet, duke i mundësuar Iranit rifillimin e eksporteve të naftës.

Portali “Axios”, që raportoi i pari për marrëveshjen e mundshme, bëri të ditur se presidenti Trump ishte informuar mbi propozimin, por nuk kishte dhënë ende miratimin përfundimtar, duke kërkuar disa ditë për shqyrtim.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë strategjike për tregtinë globale të energjisë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me gaz natyror të lëngshëm dhe naftë.

Në deklaratat e tij, Vance tha se negociatorët po diskutojnë ende “disa formulime të përmbajtjes”, përfshirë çështjen e pasurimit të uraniumit.

“Nuk kemi arritur ende aty, por jemi shumë pranë dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë”, tha ai para gazetarëve në Uashington.

SHBA-ja ka kërkuar prej kohësh që Irani të ndalojë prodhimin e uraniumit të pasuruar në nivele të larta dhe të eliminojë rezervat ekzistuese, të cilat teorikisht mund të përdoren për zhvillimin e armëve bërthamore.

Nga ana tjetër, Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore dhe ka hedhur poshtë çdo synim për prodhimin e armëve atomike.

Mediet shtetërore iraniane raportuan të mërkurën detaje nga një draft jozyrtar me 14 pika të memorandumit, ku përfshihej heqja e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, tërheqja e forcave amerikane nga “afërsia e Iranit” dhe rikthimi i trafikut civil në Ngushticën e Hormuzit, nën administrimin e Iranit dhe Omanit.

Shtëpia e Bardhë e hodhi poshtë dokumentin e publikuar, duke e cilësuar atë si “një fabrikim të plotë”.

Që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit më 8 prill, presidenti Trump ka deklaruar vazhdimisht se palët janë pranë një marrëveshjeje, por deri tani nuk është arritur asnjë rezultat konkret.

Administrata amerikane po përballet me presion në rritje për t’i dhënë fund konfliktit, si nga aleatët në Gjirin Persik, ashtu edhe nga demokratët dhe disa republikanë në Kongres, të cilët kanë shprehur shqetësime për zgjatjen e luftës.

Raportimet kontradiktore, nxorën në pah natyrën ende të paqëndrueshme të negociatave, ndërsa të dyja palët kundërshtuan pretendimet e njëra-tjetrës dhe dhanë pak detaje mbi marrëveshjen e propozuar.

Trump dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë paralajmëruar se “opsioni B”, rikthimi i operacioneve ushtarake, mbetet ende i mundshëm.

Zgjatja e armëpushimit do t’u jepte ekipeve amerikane dhe iraniane më shumë kohë për të diskutuar çështjet më komplekse teknike, veçanërisht ato që lidhen me programin bërthamor iranian dhe rezervat e uraniumit të pasuruar.

Ndërkohë, si SHBA-ja ashtu edhe Irani kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit në ditët e fundit.

Garda Revolucionare Islamike e Iranit deklaroi se kishte goditur një bazë amerikane në rajon pas sulmeve të reja amerikane në jug të Iranit gjatë natës.

Po ashtu, mediet shtetërore iraniane raportuan se forcat iraniane kishin rrëzuar një avion amerikan, ndoshta një dron.

Megjithatë, Komanda Qendrore Amerikane i mohoi raportimet, duke deklaruar se “asnjë avion amerikan nuk është rrëzuar” dhe se të gjitha mjetet ajrore amerikane janë të evidentuara. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›