E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

UASHINGTON – Ministri izraelit takohet me Blinken për situatën humanitare në Gazë

TEL AVIV, 11 nëntor /ATSH/- Ministri izraelit i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer do të takohet sot me sekretarin Amerikan te Shtetit, Antony Blinken në Uashington, tha Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) – ndërsa afati i vendosur nga Uashingtoni për të përmirësuar situatën humanitare në Gazë po afrohet, sipas Reuters.

Takimi do të zhvillohet në orën 17:00 , sipas orarit publik të departamentit, i cili nuk ofroi detaje të mëtejshme.

Shpresat për një armëpushim në luftën e Izraelit në Gazë patën një pengesë – ndërsa Katari pezulloi rolin e tij si ndërmjetës në negociata.

Izraeli tha sot se kishte progres në bisedimet për një armëpushim në luftën e tij në Liban.

Qeveria e SHBA-se tha në një letër të 13 tetorit se Izraeli kishte 30 ditë për të ndërmarrë hapa specifikë për të adresuar krizën humanitare në Gaza – ku sulmi ushtarak i Izraelit në 13 muajt e fundit ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë; ka shkaktuar një krizë urie dhe ka çuar në akuza për gjenocid në Gjykatën Botërore, të cilat Izraeli i ka mohuar.

Blinken i ka kërkuar Izraelit që të rrisë ndjeshëm ndihmën humanitare.

“Në fillim të këtij muaji, Blinken foli me Dermer dhe diskutoi mundësitë për një zgjidhje diplomatike në Liban si dhe për t’i dhënë fund luftës në Gazë”, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit.

Disa analistë thonë se administrata e presidentit demokrat, Joe Biden mund të mos ketë më ndikim të mjaftueshëm pasi republikani Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA. Ai do të marrë detyrën më 20 janar.

“Luftimet e fundit në konfliktin izraelito-palestinez prej disa dekadash u shkaktua më 7 tetor 2023, kur militantët palestinezë të Hamasit sulmuan Izraelin, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë”, sipas të dhënave izraelite.

“Sulmet e Izraelit në Gazë kanë shkaktuar vdekjen e mbi 43 000”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Operacionet e veçanta ushtarake të Izraelit në Liban kanë vrarë mbi 3 000 persona dhe kanë zhvendosur mbi një milion të tjerë. Izraeli thotë se ka në shënjestër militantët libanezë të Hezbollahut.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›