E Diel, 1 Nëntor 2026

UASHINGTON – SHBA dhe Zvicra drejt marrëveshjes për uljen e tarifave prej 39%

UASHINGTON, 11 nëntor /ATSH/ – Shtetet e Bashkuara dhe Zvicra janë pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje tregtare për të ulur tarifat doganore prej 39%, të vendosura nga presidenti Donald Trump në gusht të këtij vit, sipas AP.

Presidenti konfirmoi  se “po punohet për një marrëveshje që t’i ulë pak tarifat”, duke shtuar se nuk ka përcaktuar ende një përqindje të saktë, por se “duam ta ndihmojmë Zvicrën”.

Ai theksoi gjithashtu se “e kemi goditur Zvicrën mjaft fort, por duam që ajo të mbetet e suksesshme”, duke e përshkruar vendin si “një aleat shumë të mirë”.

Sipas mediave, tarifat ndaj eksporteve zvicerane mund të ulen në rreth 15%, duke u barazuar me normën që u vendos për vendet e Bashkimit Europian.” Marrëveshja mund të finalizohet brenda disa javësh.

Një zëdhënës i Ministrisë së Ekonomisë zvicerane nuk dha komente mbi bisedimet, por konfirmoi se ministri Guy Parmelin është “në kontakt të rregullt me autoritetet përkatëse në SHBA, përfshirë përfaqësuesin tregtar amerikan Jamieson Greer”.

Tarifat e larta kanë shkaktuar shqetësim në Zvicër, veçanërisht pasi vendi eksporton kryesisht orë, bizhuteri, makineri, çokollatë, elektronikë dhe produkte farmaceutike.

Pas lajmit për mundësinë e uljes së tarifave, aksionet e kompanive zvicerane “Swatch Group”  dhe “Richemont” u rritën sot në hapje të tregut.

Kryeekzekutivë të bizneseve të njohura zvicerane, si CEO i “Breitling”, e kanë quajtur tarifën “të tmerrshme për Zvicrën”.

Tarifa  prej 39% ishte një nga më të lartat që administrata Trump ka vendosur këtë vit, si pjesë e një fushate më të gjerë ndaj vendeve që ai i akuzon për “pabarazi tregtare” me SHBA-në. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›