UBT: Pesticidet, rrezik për bletët dhe sigurinë ushqimore

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Në Ditën Botërore të Bletëve, Universiteti Bujqësor i Tiranës zhvilloi këtë të mërkurë simpoziumin kombëtar me temë: “Nga Zgjoi te Shëndeti: Pesticidet, Bletët dhe Siguria Ushqimore në Shqipëri”, ku akademikë, ekspertë të sigurisë ushqimore, përfaqësues të sektorit të bletarisë dhe studiues diskutuan mbi ndikimin e pesticideve në bletari dhe sigurinë ushqimore në vend.
Aktiviteti kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e bletëve dhe rëndësinë e kontrollit të pesticideve në zinxhirin ushqimor.
Simpoziumi u çel me fjalën përshëndetëse të rektorit të UBT-së, prof. dr. Fatbardh Sallaku, i cili vlerësoi organizimin e aktiviteteve shkencore në universitet dhe u shpreh se Fakulteti i Veterinarisë pritet të shndërrohet shumë shpejt në një qendër rajonale.
Dekani i Fakultetit të Veterinarisë, prof. dr. Rezart Postoli, theksoi rolin jetik të bletëve në ruajtjen e biodiversitetit, sigurinë ushqimore dhe ekuilibrin natyror, duke nënvizuar se mbrojtja e tyre është një përgjegjësi e përbashkët.
Gjatë aktivitetit, prof. dr. Kastriot Korro prezantoi rezultatet e para në Shqipëri mbi monitorimin e mbetjeve të pesticideve në mjaltë, polen dhe propolis, duke evidentuar rëndësinë e analizave laboratorike dhe ndikimin që pesticidet kanë tek bletët dhe cilësia e produkteve ushqimore.
Në simpozium morën pjesë edhe bletarë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët ndanë eksperiencat dhe shqetësimet e tyre lidhur me sfidat e sektorit, duke e kthyer aktivitetin në një platformë bashkëpunimi dhe shkëmbimi praktikash.
Pjesë e aktivitetit ishin gjithashtu prezantimet e studentëve, diskutimet me ekspertë të sektorit, si dr. Vitor Malutaj nga Federata e Bletarëve dhe Abdyl Arifaj nga Shoqata e Apiterapistëve.
Në panelin përmbyllës, ekspertët diskutuan mbi potencialin dhe perspektivën e zhvillimit të bletarisë në Shqipëri, si dhe mbi nevojën për politika dhe praktika më të sigurta për mbrojtjen e bletëve dhe konsumatorëve.
1 nga 3/e.xh/r.e/a.f/