UDHËTIM NËPËR VISARET E SULOVËS
Nga Pëllumb Gorica
-Udhëpërshkrim-
Mirëseardhjen këtu ta uron dielli me reflekset e rrezeve, ajri, gjelbërimi, konturet e thepisura të malit të perëndive, Tomorrit me kurorën e zbardhur në majë. Madhështia e tij është bukuri dhe krenari. Ndjen një ngacmim për tu endur më tej këtyre pamjeve.
PAMJE QË KËRKON TI SHIJOSH THELLË
Një udhëtim drejt Sulovës së Sipërme të Gramshit është një mundësi për ta njohur më mire. Edhe nëse udhëton për herë të parë drejt saj. Ajo shtrihet në të majtë të rrjedhës së mesme të lumit Devoll, nën këmbët e malit Tomorr. Reliev i copëtuar me ulje ngritje, lugina, kodra, lartësi, brigje, përrenj, fshatra, peizazhe magjepsëse me ngrohtësinë e stinës e blerimit të harlisur. Lumi Devoll rrjedh ndërmjet brigjeve diku rrëmbyer, diku pa u ngutur, diku kumbon mbi zajet. Kjo është ajo çka përbën mbresën e parë sapo shkel këtu dhe të godet bukurisht, por kur krahasohet me pasuritë e tjera atëherë në të vërtetë mund të kuptohet Sulova, e cila mban në gjirin e saj thesare të shumta, histori të lakmueshme dhe dëshmi antike të kulturës së lashtë. Njihet më shumë për traditat, bujarinë dhe mikpritjen. E përmendim këtë fakt si një krenari të tyre se mikpritja, bujaria në sofrat nuk u ka shterur kurrë. Zemrat e tyre si dielli, shndritin e gufojnë nga respekti për mikun, udhëtarin me muhabetin, këngët e rakinë e fortë. Do të duhej miku im e i të gjithë sulovarëve, studiuesi Petrit Basha që më bëri të realizueshme këtë udhëtim. Me ne është edhe djali i tij, Isai, që është drejtor i kulturës në bashkinë e Gramshit, Shefit Hysa dhe Hysen Zani. Jemi bashkudhëtarë në lartësitë e Sulovës së Sipërme me qetësinë, freskinë, aromat, bisedat, këngët dhe bashkë me shumë foto artistike.
Duke ndaluar herë në një peizazh e herë në tjetër sytë prekin gjelbërimin frymëzues. Një mjegull resh të brishta dhe të praruara notojnë qiellit. Pak nga pak një diell i vakët ngrihej lart në hapësirë. Tutje në faqe të një kodre të veshur me bar e lule, një tufë dele kullosin. Tingëllojnë këmborët si melodi plot emocion. Makina ecën në rrugën plot kthesa që le për të dëshiruar, duke gjarpëruar në peizazhin ngjyra-ngjyra. Ruga herë ngjitet e herë i le fshatrat në krahë e herë kalon afër tyre. Secili paraqitet me karakteristika të veçanta. Është krejt e natyrshme se natyra u ka falur këto vende për të jetuar e zhvilluar jetën. Shëmriza, Ostenthi, Duzha, Lubinja . Emra vendbanimesh që përqasin idenë e origjinës së tyre të vjetër. Duzha e zhytur mes gjelbërimit. Në një hapësirë tjetër përballë nesh Lubinja me shtëpitë çatikuqe rrethuar nga gjelbërimi, të cilat ja shtojnë më shumë hijeshinë e pamjen tërheqëse. Tokat e parceluara, të mbjella me rreshta të drejta e të ndara nga njëra – tjetra me pemë frutore degërënduara nga prodhimet si: arra, dardhë, qershi, mollë, kumbulla. Pak më tej vreshta të sistemuara. Si një lidhje me natyrën e freskët spikat dora e mëndja e banorëve që e duan punën, përpjekjet e tyre për të përballuar jetën, për të punuar e gëzuar frutet e prodhimit.
IMAZHE TRISHTUESE
Teksa i përjeton mrekullisht peizazhet, të diktohet vetvetiu paqe e kënaqësi në shpirt dhe të gërshetuara me ato historike, që të preken e të shijohen nga adhuruesit, vizitorët vendas e të huaj kërkohen investime. Ahhhhh, psherëtijmë të gjithë. Shteti duhet të mendojë më shumë për rrugët. Mungon ajo për ti ndihmuar së pari banorët për të lëvizur më shpejt e më mirë drejt qendrave administrative, shkollave, spitaleve edhe që të dërguar prodhimet në tregje. Rugët janë damarët ku lëvron jeta, por janë kthyer në gjakun e korrupsionit e mosinteresimi i pushtetarëve dhe pamundësia e përfitimit të projekteve për zonat malore një pengesë, por edhe e mendimit se çduhen rrugët atje kur fshatrat po boshatisen. Duhet t’i biem këmbanave të alarmit për shkatërrimet e shumta, si kudo në Shqipëri, që janë bërë e vazhdojnë të bëhen nga dora e njeriut, duke e shëmtuar natyrën nisur nga përfitimi, për të cilën nuk e vret ndërgjegjja askënd. Harrojnë që një veprim të tillë dhe heshtja që e shoqëron këtë fenomen negativ, brezat e ardhshëm do të na e kritikojnë. Shembulli më i keq i trajtimit të natyrës është prerja pa kriter e pyllit, djegia e tij dhe gërryerjet e tokës, një masakër, që ka tronditur ekuilibrin e ekosistemit së kësaj zone. Ndalojmë paksa për tu çlodhur. Kemi përballë një pamje të tillë, ku pylli është djegur e diku po dëmtohet nga prerjet. Kur e shikon barbarinë e këtyre peizazheve, ligështohesh ndaj duhen marrë masa, që të mos priten e digjen si në shumicën e rasteve pa kriter e pa menduar thellë, se pyjet janë ajri ynë i paçmuar.
Këtu ndihet edhe vlaga e dhimbjes, e braktisjes. Siç ndodhi me shumë fshatra malorë në Shqipëri edhe në këto anë është përhapur sidroma e hemorragjisë për të zbritur qendrave të urbanizuara, duke lënë pas natyrën e bukur, ajrin, kujtimet, ca gjurmë të jetës, varret e të parëve. Të pikëllon shpërngulja e fshatit Irmaj. Heshtja e madhe i ka mbuluar shtëpitë, arat, pylli e ato e ndjejnë më shumë, braktisjen e vendbanimit të vjetër, diçka të mjerueshme në kufijtë e zbrastësisë. Para shumë vitesh këtu gjallonin zërat e jetës e tani ka mbetur e shkretë. Mungesa e kushteve për të jetuar bëri të rendin drejt fushave, qendrave të mëdha të banimit dhe qyteteve, si uji i lumenjve që rrjedh në det, në kërkim të një jete më të mirë. Atje ku ajo të siguron kushte të volitshme për jetesë. Pas disa vitesh do të kthehet në gërmadhë e ndoshta do të zhduket fare, gjë që të bën të ndjesh keqardhja për këtë fshat të braktisur nga vëmendja e papërgjegjshme e pushtetarëve.
HAP PAS HAPI NË GJURMËT E TOPONIMEVE
Dhe, përkundrejt bukurive natyrore, rruga kalon nëpër një truall të braktisur me gjurmë të lashta. Kohërat me luftrat rrënuese, largimet, ndryshimet sociale i kanë fshirë shumë prej tyre. E çduan të thonë ato pak gjurmë në këtë territor të braktisur? Petriti i lindur dhe rritur në Sulovë, në rolin e ciceronit ligjëron, për vendet ku kalonim, për fshatrat anës rrugës e për çdo gjë tjetër me një ndjenjë krenarie e një frymë gati mistike të thjeshtësisë dhe aftësisë treguese. -Ajo që të bën përshtypje -të thotë Petriti -është dendësia e toponimeve të shumta, që tregojnë ekzistencën e vjetër të banimit në këto troje. Na e sjell në memorjen tonë, si një dritare dijesh për këto toponime emërtimet dhe histori të tyre. Si njohës i mirë i trevës dhe këmbënguljes e pasionit për të evokuar historinë, traditat ka mbledhur një pjesë të kësaj trashëgimie, në një tufë librash për Sulovën, për vlerat e saj, për njerëzit, për virtytet e sulovarit ndër breza. Çdo toponim ka një histori. Liqedhi, Çuka e Salos, Shëmitra, Qafa e Liqedhit, Çuka e Daulles, Pa u marrë me etimiologjinë e tyre, kemi të bëjmë me fjalë shqipe të vjetra. Liqelli. Mendohet se në këtë vend ka qenë një liqen i vogël, në pjesën juglindore të arës së sotme. Ky liqen duhet të jetë formuar nga marrja e