Marko Dajti: Çelësat e qeverisë i ka Meta, PS po demotivon policinë
Meta të këshilloi PS-në që të mos bëjnë pastrime të papërgjegjshme në administratë
Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar (PPSHR), ka reaguar dje për situatën e rendit në vend duke e konsideruar si kritike. Në një deklaratë për mediat, Marko Dajti, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSHR theksoi se deklaratat e deputetëve socialistë për pushime nga puna kanë bërë që efektivët e policisë të demoralizohen në ushtrimin e detyrës. Disa politikanë të Partisë Socialiste, të etur për pushtet, po bëjnë deklarata të papërgjegjshme për pushime masive nga puna, çka po shkakton demotivim në radhët e uniformave blu. Pavarësisht nga elementë të korruptuar në radhët e Policisë së Shtetit, të cilët meritojnë të largohen një herë e përgjithmonë së bashku me Sali Berishën, pjesa dërrmuese e efektivëve të kësaj strukture janë të ndershëm dhe punojnë me përkushtim, duke u përballur ditën dhe natën, në kushte jashtëzakonisht të vështira, me krimin dhe kriminelët, tha kreu i PPSHR-së. Dajti shprehet se pavarësisht problemeve në radhët e forcave të rendit, efektivët profesional nuk duhet të zëvendësohen nga militantë partie. Më tej Dajti, deklaroi se udhëheqësi faktik i aleancës së majtë është kreu i LSI-së, Ilir Meta. Në mënyrë të veçantë i bëjmë thirrje fituesit dhe udhëheqësit faktik të mazhorancës së ardhshme, z. Ilir Meta, të cilit më 23 qershor populli shqiptar i ka dorëzuar çelësat e Parlamentit, Qeverisë dhe Presidencës, që të jetë si gjithmonë i matur dhe i mençur, pasi fitorja e madhe sjell edhe përgjegjësi të mëdha për fatet e vendit, shprehet Dajti. Ai shtoi se është detyrë e Metës për të këshilluar politikanët e PS që të mos bëjnë spastrime të papërgjegjshme në administratë. Ai duhet të këshillojë këta politikanë të Partisë Socialiste që të heqin dorë nga deklaratat kërcënuese dhe të papërgjegjshme për spastrime masive që demotivojnë Policinë e Shtetit dhe Ushtrinë. Me këto dy struktura thelbësore për sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë kombëtare, askush nuk mund të bëjë aventura që sjellin pasoja të rënda, përfundoi kreu i PPSHR, Marko Dajti.