E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Demat” në ekstazë “djegin” Tiranën

Dash Frashëri

“Demat” në ekstazë. Shkatërrojnë një Tiranë ekzistente me rezultatin e thellë 4-1, duke dhuruar spektakël e shpresë për fitimin e titullit të 16-të, që mungon prej 15 vitesh. Një dhuratë për Xhanin dhe kryetifozin e kuq të ndarë nga jeta, Jotin.
Partizani, me dy fitore të mëdha rresht brenda shtatë ditëve, e para kundër Dinamos kryesuese (1-0) dhe e dyta e më përmasa “pokeri”, kundër kampionëve në fuqi, Tiranës, Partizani konfiguron absolutisht një format prej pretendenti për titull teksa ruan diferencën prej tri pikësh me Dinamon. Dhe nëse bëjmë llogarinë e formulës, ku java e fundit e Kampionatit të 69-të ofron përballjen Dinamo-Partizani, atëherë pa dyshim dy përballjet direkt në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë do ta kenë një llogari të vogël brenda, ashtu si në vitin 2003, kur Partizani fitoi trofeun e 15-të të Kupës së Shqipërisë.
Derbi dhuroi spektakël në tribuna, ku gara mes ultrasve të Tiranës dhe atyre të Partizanit ishte një magji më vete.
Ndëshkimi i shpejtë i Tiranës pa kaluar ende pesë minuta lojë nga mbrojtësi Tefik Osmani realizoi golin e parë të formacionit të Hasan Likës. Një gol që ngriu kampionët në fuqi të Sulejman Memës, por që rriti adrenalinën e “demave”. Dyfishimi i rezultatit në minutën e 22-të nga mesfushori luftarak, Bledar Devolli, dha sinjalin e dytë se derbi i 129-të i përkiste plotësisht presidentit Xhani.
Fraksioni i dytë dhuroi momente të tjera të jashtëzakonshme, kur mesfushori Blendi Shkëmbi krijoi një eurogol në minutën e 47-të. Fortuzi, me golin e tij në të 60’ krijoi imazhin e rremë për hapjen e ndeshjes, por goli i Abilaliajt në minutën e 71-të vulosi fitoren e madhe 4-1 të Partizanit.
Mesfushori i Kombëtares, Klodian Duro, vuajti nga presioni psikologjik duke u ndëshkuar me dy kartonë të verdhë (rrjedhimisht i kuq) duke e shëmtuar akoma më shumë skuadrën e katër donatorëve.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 22
1 mars

TIRANA-PARTIZANI 1-4
DINAMO-SHKUMBINI 1-0
ELBASANI-BESËLIDHJA 1-2
BESA-VLLAZNIA 1-0
SKËNDERBEU-KASTRIOTI 2-0
FLAMURTARI-TEUTA 2-2

KATEGORIA SUPERIORE
Renditja
1 Dinamo 45
2 Partizani 42
3 Vllaznia 35
4 Besa 35
5 Tirana 34
6 Elbasani 33
7 Shkumbini 31
8 Flamurtari 29
9 Kastrioti 23
10 Teuta 20
11 Besëlidhja 20
12 Skënderbeu 11

Dinamo, koka 1 e fazës së tretë

Dinamo ia arriti të jetë “koka 1” e fazës së tretë, pasi formacioni i Ilir Dajës në debutimin e teknikut të ri blu në Superligë fitoi 1-0 me Shkumbinin në javën e fundit të fazës së dytë. Loja pati një ritëm mesatar nga të dyja ekipet. Golin e vetëm të takimit e realizoi mesfushori Artion Poçi në minutën e 21-të, pas një asisti të mbrojtësit nigerian Abraham. Kjo ishte edhe fitorja e 13-të sezonale për 16 herë kampionët në 22 javët e zhvilluara për sezonin 2007-2008. Shkumbini, pas eliminimit dramatik në Kupën e Shqipërisë, u paraqit i zbehtë në “Selman Stërmasi”, në një impiant ku spektatorët ishin shumë të pakët. Takimi në fazën e parë midis tyre kishte përfunduar 0-0. Në bilancin historik Dinamo regjistroi fitoren e 19-të në 34 ndeshje me Shkumbinin (7 fitore). Në javën e parë të fazës së tretë Dinamo do të luajë në kryeqytet kundër Skënderbeut të vendit të fundit, ndërsa Shkumbini do të përballet në Kavajë me Besën.

3 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›