Kuleta e hapur

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini i ka bërë thirrje pronarit të klubit, Sheik Mansour bin Zayed Al Nahyan, të investojë përsëri në ekip.
Mancini tashmë ka investuar shumë në skuadër duke sjellë Yaya Touren, David Silvan, Mario Balotellin, James Milnerin, Aleksandar Kolarovin, Jerome Boatengun dhe Edin Dzekon në 12 muajt e fundit, por ai beson se Cityt i mungon fuqia e plotë e Manchester Unitedit dhe ka kërkuar që klubi të shpenzojë sërish gjatë afatit kalimtar të verës.
“Për ne të mbetemi në krye për një kohë të gjatë ishte mirë, por gjatë një periudhe të këtij sezoni në shkurt ose mars ne luanim në Europa League, Premierligë dhe FA Cup, kishim ndeshje çdo tri ditë”, tha Mancini për të përditshmen angleze, Daily Mail.
“Është shumë vështirë nëse nuk keni një listë të madhe të futbollistëve, është e pamundur të shkoni në finale të kupave dhe të luftoni për titull”, shtoi ai.
Mancini mori shembullin e rivalit të qytetit, Manchester United që pushoi disa prej futbollistëve kryesorë në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Schalke 04 në mesjavë, në Old Trafford, pas fitores 2-0 në takimin e parë në Gjermani, kjo për shkak të ndeshjes së rëndësishme të dielën kundër Chelseas, që mund të përcaktojë titullin e kampionit në Premierligë.
“Manchester United në ndeshjen kundër Chelseas do të luajë me tetë ose nëntë futbollistë të tjerë nga ekipi që luajti përballë Schalkes. Ata mund t’i bëjnë këto ndryshime dhe përsëri fitojnë. Mendoj se ne kemi ekip të mirë. Ne duhet të përmirësohemi, nëse sjellim përforcime të reja, sepse kur luani në Ligën e Kampionëve, secili ekip është i fortë”, u shpreh ai.
Manchester City spekulohet se është në garë me Manchester Unitedin për transferimin e yllit kilian të Udineses, Alexis Sanchez.
I pyetur rreth tij, Mancini tha: “Sanchez është futbollist i mirë”. Mancini beson se është me rëndësi që City të fitojë FA Cup kur takohen me Stoke Cityn, në finale në Wembley më 14 maj, nëse duan të garojnë më skuadrat më të mira.
“Është vendimtare për ne të fitojmë FA Cup, pastaj vitin e ardhshëm ne mund të përmirësojmë ekipin dhe të sjellim futbollistë të tjerë. Nëse duam të luajmë për titull sezonin e ardhshëm, është shumë me rëndësi të fillojmë të fitojmë diçka. Pastaj, për të ardhmen, Manchester City do të jetë ekip i fortë në Evropë”, vazhdoi ai.
I pyetur nëse City mund të fitojë Premierligën, sezonin e ardhshëm, Mancini tha: “Varet nga tetë ditët e ardhshme por mendoj se po”.