UEFA suspendon Mourinhon

Komisioni disiplinor i UEFA-s e ka suspenduar trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, për pesë ndeshje dhe e ka gjobitur me 50 mijë euro, të premten, lidhur me kritikat e tij, në konferencën për shtyp, pas përjashtimit të tij në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës, javën e kaluar.
Mourinho përcolli ndeshjen e kthimit në Nou Camp nga dhoma e hotelit, derisa ekipi i tij u eliminua nga gara duke u mposhtur 3-1, me rezultat të përgjithshëm. Mourinho tashmë ka shërbyer një prej pesë ndeshjeve të dënimit, ndërsa një tjetër e ka të kushtëzuar, varësisht nëse përsërit kritikat e mëparshme.
Si rezultat, Mourinho do të jetë i dënuar për së paku tri ndeshje të fazës së grupeve të edicionit të ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Gjiganti madrilen ka paralajmëruar se do të paraqesë ankesë.
Kurse mbrojtësi i Realit, Pepe, është dënuar me vetëm një ndeshje mos lojë, për përjashtimin e tij gjatë ndeshjes. Ai tashmë e ka shlyer dënimin, duke mos u paraqitur në ndeshjen e kthimit në Nou Camp.
Ndërsa portieri i dytë i Barcelonës, Jose Pinto është suspenduar për tri ndeshje (një e ka shlyer) pas kacafytjes që shkaktoi në përfundim të pjesës së parë të ndeshjes, edhe pse ishte rezervist. Andaj, ai do të mungojë në finale, ku skuadra e tij takohet me Manchester Unitedin, më 28 maj, në Wembley.
Në komentet e tij pas humbjes 2-0 nga Barcelona, të mërkurën e kaluar. Mourinho foli për konspiracion të gjerë evropian në favor të gjigantit katalan.
“Josep Guardiola është trajner i shkëlqyeshëm i futbollit, por Liga e Kampionëve që fitoi ishte e turpshme për shkak të asaj që ndodhi në Stamford Bridge; ishte një skandal. Dhe nëse e fiton edhe këtë vit, do të jetë pas këtij skandali në Bernabeu. Të shpresojmë të këtë mundësinë të fiton Ligën e Kampionëve (në të ardhmen) në mënyrë të pastër, pa skandale”, kishte thënë Mourinho.
“Urime Barcelonës. Por nuk e kuptoj pse Barcelona gjithmonë ndihmohet nga gjyqtari. Gjithë jetën time e kam pyetur veten për këtë dhe shpresoj që një ditë të marr një përgjigje”, shtoi ai.
UEFA nëpërmjet një komunikate ka theksuar se vlerësoi se komentet e portugezit ishin të “pavend”. Kjo nuk është hera e parë që UEFA suspendon Mourinhon.
Më 2007, gjatë kohës sa ishte në Chelsea, Mourinho u suspendua për dy ndeshje nga UEFA pasi në përfundim të humbjes 2-1 nga Barcelona kishte thënë se trajneri kundërshtar, Frank Rijkaard, kishte hyrë në dhomën e gjyqtarëve në përfundim të pjesës së parë. Gjyqtari kryesor, suedezi Anders Frisk u pensionua më vonë.