E Shtunë, 31 Tetor 2026

UET, Network i Studentit: nga kujdesi shëndetësor te strategji për karrierën

Presidentja e Universitetit Europian të Tiranës, Dr. Teuta Dobi, flet për vitin e ri akademik, kujdesin dhe ndjekjen e formimit akademik dhe profesional të studentëve. Detajet e jetës universitare në një institucion të rankuar ‘shumë mirë’ dhe ‘mirë’ nga kompania gjermane CHE.

UET NETWORK

-Dekane të Studentëve

-Zyra e Kujdesit ndaj Studentit

-Klinikë Psikologjike

-Këshillimore Shëndeti

-Zyrë të Karrierës

-Rrjeti Alumni

-Partneritet Ndëruniversitar (me 30 universitete botërore)

Për pak javë nis viti akademik 2011-2012, flitet shumë për programe bashkëkohore, profesorë me grada shkencore, tituj librash të fundit, por shumë pak përmenden studentët si inputi kryesor. A ka Universiteti Europian i Tiranës një politikë apo strategji për ta?

Universiteti Europian i Tiranës ka një qasje krejt të ndryshme, nga sa është parë deri më tani, drejt studentit. Filozofia që ne ndjekim është trajtimi i tyre sipas modelit anglo-sakson të arsimit. Kujdesi për studentin është tashmë i institucionalizuar në UET, me anë të zyrës së Kujdesit të Studentëve, e cila funksionon plotësisht, e që e nis misionin e saj që nga të kuptuarit të gjimnazistëve, duke i këshilluar dhe orientuar ata kryesisht për edukimin e tyre, për zgjedhjen e duhur të karrierës. Ne u shërbejmë me qëllimin që ata të jenë të kënaqur me ne. Kur studenti vjen në universitet ka nevojë për këshillim akademik, ne i orientojmë për t’u thelluar drejt dijeve më të përshtatshme.

Po cilat janë detyrat konkrete të Zyrës së Kujdesit ndaj Studentit?

Zyra e Kujdesit ndaj studentit ka si detyrë të organizojë, menaxhojë dhe drejtojë procesin e rekrutimit të studentëve nga shkollat e mesme të vendit dhe të huaja. Mban marrëdhënie të vazhdueshme me organet e këshillave studentore, shoqatat studentore apo organizime të tjera studentore dhe i mbështet ata në funksionimin e tyre. Transmeton tek organet drejtuese të UET-it problematikat e ngritura nga studentët në formë të organizuar ose jo. Gjithashtu, kjo zyrë mund të propozojë ndryshime dhe përmirësime të programeve mësimore në përgjigje të kërkesave të kandidatëve për studentë dhe të studentëve dhe ia paraqet për miratim strukturave përkatëse.

Çfarë shërbimesh të tjera ofron kjo zyrë për studentin?

Ne ofrojmë disa lloje këshillimesh profesionale për të gjithë studentët e UET-it. Kemi nisur një projekt shumë ambicioz dhe ndoshta i pari i këtij lloji: këshillimin psikologjik. Në ambientet e universitetit kemi ngritur një klinikë psikologjike, ku ofrojmë mjedis profesional dhe prindëror për çdo student që ka nevojë për një shërbim të tillë. Përveç këshillimit psikologjik ofrojmë gjithashtu edhe këshillimin shëndetësor, i cili është i nevojshëm sidomos për të gjithë ata studentë që jetojnë larg familjes. Ne kemi një Dekane të studentëve, e cila merret vetëm me problemet dhe shqetësimet e studentëve. Ata kanë nevojë për një jetë aktive dhe ne si drejtues jemi të angazhuar për të nxitur, akomoduar dhe financuar klubet rinore në UET, qofshin ato artistike, intelektuale, sportive dhe zbavitëse. Kjo është një traditë e konsoliduar tashmë në universitetet perëndimore dhe do të marrë jetë edhe në UET. Ambientet e reja që do të përurojmë këtë fillim viti akademik do të na mundësojnë t’i konkretizojmë gjithë këto projekte ambicioze me studentët.

Këto janë lehtësira dhe infrastrukturë për jetën sociale dhe argëtimin, po në aspektin akademik, a ka?

Faleminderit për pyetjen. Ne po punojmë për pjesëmarrjen e studentëve të ekselencës edhe në projektet kërkimore. Kjo nuk do të thotë që ata do të bëjnë disa punë operative që konsistojnë thjesht dhe vetëm në mbledhje të dhënash për studime dhe kërkimore të caktuara. UET do të identifikojë drejtimet kërkimore shkencore sipas interesave të tyre. Atyre do t’u ofrohet mundësia për t’u profilizuar në ato disiplina që i kanë prirje dhe pasion. Projektet kërkimore do të jenë fikse dhe në vijimësi, jo sporadike dhe sezonale. UET ka rreth 30 marrëveshje me universitete nga mbarë bota për shkëmbime studentësh, programesh studimi, pedagogësh, të gjitha këto në funksion të cilësisë arsimore dhe jetës aktive të studentëve tanë.

Meqë përmendët traditën anglo-saksone, po kujtoj se, bazuar në të, trajtimi dhe kujdesi i studentit nuk përfundon thjesht në përfundim të viteve akademike, por edhe orientimi drejt tregut të punës. A është një nga prioritetet e UET-it ndjekja e punësimit të studentëve?

Ne si institucion flasim konkretisht dhe jo vetëm me projekte në letër. Rëndësi i është kushtuar që në përfundim të studimeve të brezit të parë edukimit për karrierën, ashtu siç edhe e përmenda më lart, ne punojmë që në rininë e tyre të hershme me gjimnazistët, në mënyrë që ata të jenë shumë të qartë për atë që duan të studiojnë dhe bëjnë në jetë. Në Universitetin Europian të Tiranës ne prej vitesh kemi një Zyrë të Karrierës, e cila shërben si ndërmjetës mes tregut të punës dhe studentëve. Që nga praktika profesionale që ata bëjnë në përfundim të studimeve të tyre Bachelor dhe Master, pranë institucioneve, bizneseve, administratës publike, apo organizatave të ndryshme, që vetë UET ua siguron, deri te mundësitë reale për punësim, siç është Panairi i Punës, një traditë e konsoliduar në UET. Çdo vit në ambientet e universitetet zhvillohet panairi, i cili mundëson kontakte të drejtpërdrejta mes operatorëve më të mëdhenj të tregut (privat dhe publik) dhe studentëve tanë. Shumë prej studentëve kanë dalë nga ky Panair duke siguruar një vend pune. Ne e mbyllim gjithë këtë cikël të kujdesit ndaj studentit me rrjetin Alumni (të gjithë studentët që kanë ndjekur studimet në UET), të cilët do të përdoren si lobues dhe do të jenë shembull krenar i yni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›