Zbardhen përgjimet, Paro Laçi: “Fola me ministrin, do e firmosi lejen”
Tiranë Prokuroria e Tiranës u ka dhënë fund hetimeve, duke dërguar për gjykim Paro Laçin, ish-administratorin e skuadrës së futbollit të Partizanit, dhe 8 persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në afera korruptive, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash. Pas hetimeve 7-mujore, njësia “Task Forcë” në prokurorinë e kryeqytetit ka ngritur akuzën e “korrupsionit aktiv ndaj gjyqtarëve” për të pandehurin Paro Lçi dhe për pesë bashkëpunëtorët e tij. Po ashtu, Laçi akuzohet për ushtrim të paligjshëm të ndikimit, vepër penale që lidhet me premtimin për sigurimin e një leje minerare kundrejt një shpërblimi prej 40 mijë euro. Të dy këto episode janë hetuar nga Prokuroria e Tiranës, e cila nëpërmjet përgjimeve telefonike ka mundur të dokumentojë akuzat e ngritura ndaj të pandehurve. Çështja e parë ku “në lojë” kanë qenë 135 mijë euro është konsumuar në Shkodër, ku sipas prokurorisë pesë nga të pandehurit kanë vënë në dispozicion këtë shumë parash me qëllim korruptimin e gjyqtarëve. Rasti i dytë ka të bëjë me premtimin për dhënien e një leje minerare, duke ndikuar te ministri i Ekonomisë në muajin mars të këtij viti, kundrejt një shpërblimi.
Lejet minerare
Pas evidentimit të rastit të parë, prokuroria ka vijuar hetimet ndaj Paro Laçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët këtë radhë kanë tentuar të përfitojnë një leje minerare duke ushtruar ndikim të paligjshëm te autoritetet respektive. “Nga hetimet ka rezultuar se Paro Laçi, nëpërmjet te pandehurit Radvist Dima, ka njohur të pandehurin Altin Xhura, ku të dyve u ka propozuar që të hapnin një biznes në fushën e kromit në Bulqizë, pasi të kishin gjetur një subjekt me dokumentacion të rregullt në Bulqizë. Gjatë procedurave të përgatitjes së dokumentacionit ligjor, kanë takuar një shtetas me emrin M. Sinani, i cili dispononte dokumentacion të rregullt ligjor në fushën e mineraleve, ku ky i fundit ka rënë dakord që të bashkëpunonte duke hyrë aksioner në masën 25%”- thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas hetimit, pas kësaj marrëveshje, i pandehuri Laçi ka kërkuar nga dy të pandehurit të siguronin një shumë parash prej 75 mijë euro, për nxjerrjen e lejes, pasi duheshin për të paguar në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. “Me datë 18 mars të këtij viti, rreth orës 11.00, i pandehuri Altin Xhura, pasi ka siguruar shumën prej 31 000 mijë euro, ka ardhur dhe shtetasi Endri Dima, i dërguar nga Radvist Dima për të marrë këtë shumë dhe së bashku me një shumë prej 9 000 eurosh të siguruara nga ai, që do t’ia jepnin te pandehurit Paro Laçi, i cili kishte premtuar se ishte në gjendje të ndikonte te ministri dhe zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për marrjen e lejes së shfrytëzimit minerar”- thuhet në kërkesën për gjykim.
Afera me lejen minerare, ja bisedat e përgjuara mes të pandehurve
Sipas hetimit rezulton se i pandehuri Paro Laçi ka marrë përsipër sigurimin e një leje minerare duke ushtruar ndikim të paligjshëm te zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë
Tiranë Një nga dy episodet që ka zgjatur më shumë në kohë është edhe tentativa e të pandehurve për të siguruar një leje minerare në Bulqizë, nëpërmjet ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë. Në dosjen e prokurorisë përshkruhen disa episode, ku Paro Laçi u deklaron bashkëpunëtorëve të tij se gjërat janë gati dhe zgjidhen për punë ditësh. “Pasi kanë grumbulluar shumën prej 40 mijë eurosh, tre të pandehurit kanë lënë takim te lokal ‘Tajvani’, që të bisedonin se sa ishte shuma e grumbulluar për marrjen e lejes, të cilat do t’i dorëzoheshin ministrit dhe zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës”- thuhet në dosjen e prokurorisë. Më tej përshkruhet se në takim Paro Laçi ka qenë i shoqëruar me te pandehurin Agron Laçi, kushëri e tij, i cili ka shërbyer si garanci dhe bindje për personat e pranishëm se premtimi i të pandehurit do të realizohej dhe se sasia e lekëve duhej shumë shpejt për t’i dërguar në vendin e duhur. “Gjatë bisedës së zhvilluar në këtë lokal të pandehurit Altin dhe Agron nuk janë bindur se duhej të dorëzonin shumën e kërkuar nga Paro dhe e kanë lënë që të takoheshin të nesërmen në mëngjes, pavarësisht se nga ana e tyre ishin siguruar dhe shkëmbyer me kartëmonedha me prerje të mëdha, shuma prej 40 mijë euro” - thuhet në dosje. Sipas hetimit, rezulton se nga bisedat telefonike të përgjuara, për të arritur qëllimin e marrjes së lejes, të pandehurit Paro Laçi, është përpjekur të tregojë se është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës te ministri i Ekonomisë, por një gjë e tillë nuk është provuar nga hetimi. “Gjatë bisedave telefonike për këtë qëllim, ai ka pranuar se është takuar me ministrin dhe se ky i fundit ka filluar që të kryejë veprime sipas premtimit të Paro Laçi, ku është shprehur se “U tha juristave bani gati memon, bëni shkresat me ja çu QKL-së” dhe se “sa te na hedhi neve QKL-ja në sistem, nesër firmoset leja””- thuhet në kërkesën për gjykim. Një tjetër bisedë telefonike e përgjuar më 1 mars të këtij viti tregon se Paro Laçi u thotë personave të interesuar për lejen minerare se “tani ka shku ai Meti ke ministri”. “Ministri i ka thon ta konfirmosh letren. I ka thonë ministri tani” - citohet biseda e përgjuar. Më pas i pandehuri u thotë dy personave të interesuar për lejen minerare: “Jepja leket Metit t'ia çojë Meti. Ministri s’e ka frikë as Metin, as mu, ai me sqarovi mos me vij mo njeri për këtë punë. Edhe me ka thone qy ateherë, jam t’u ta kry punën, pikë. Edhe janë kry gjonat, ti e din vetë shumë mirë, pa shku gjo, s'kry kush gjo.”
Të pandehur
Biseda e datës 25 shkurt mes Paro Laçit dhe të pandehurit Redvist Dima
Paro Laçi 06937.... me Visin.
PARO: A i ke ato kontratat me vete ti?
VISI: Po, me vete i kam.
PARO: Mirë, se do mundohem unë që të thërras në telefon nji që ka qenë shefi aty ke zyra, atje ke QKR-ja, ke aplikimi, shefi zyrës së aplikimit, ta pyesim si bëhet me këto klauzolat, e regjistron ajo, a s’e regjistron. Tashi është lëvizje që duhet me i bo me kujdes.
VISI: Po, normalisht.
PARO: A kupton, se ndërkohë që hedhim leket ne, jena ne or ti Vis. Unë e kam vështirë, se tashti, unë jam manget për 500 mijë lek, jo me gjet 50 mijë Euro. Tashi, e ke parasysh, duhet me fol me Mynyrin.
VISI: E di, atë i thashë edhe unë, i thashë hajde nesër biles, jo të hënën kur do ti.
PARO: Po të vijë kur të dojë, mu më duhet të hënën inxhinieri.
VISI: Ore, i thashë të vijë nesër, që të bisedojmë për paret njëherë, se ajo është... edhe kjo është shumë e rëndësishme, me diskutu.
PARO: Për çfarë?
VISI: Për paret, me i mbledh shpejt lekët.
PARO: Po pra. Por bo vaki Mynyri s’ka mor Vis.
VISI: Po kështu si duket po zvarritet me Altinin ai.
PARO: Si po zvarritet?
VISI: Po sikur s’i kam të gjitha tërrci vërrci, me kanë shku shumë shpenzime, ti e di, i thash, te Altinit.
PARO: Po çfarë do bëjmë tashti?
VISI: Po do gjejmë një zgjidhje, pa merak. Mos e vrit mendjen.
PARO: Merri ato kontratat njëherë, që kena bo, kena hy ke M...
VISI: I kam unë të gjitha kontratat me vete.
PARO: Ok, ta pyesim njëherë atë ne njëherë....
Të pandehur
Paro Laçi, akuzuar për “korrupsion aktiv të gjyqtarit, të kryer në bashkëpunim” dhe “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”
Edmond Temali, akuzuar për “korrupsion aktiv të gjyqtarit, të kryer në bashkëpunim”
Agron Arusha, akuzuar për “korrupsion aktiv të gjyqtarit, të kryer në bashkëpunim”
Bledar Kume, akuzuar për “korrupsion aktiv të gjyqtarit, të kryer në bashkëpunim”
Dhurata Kume, akuzuar për “korrupsion aktiv të gjyqtarit, të kryer në bashkëpunim”
Agron Laçi , akuzuar për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”
Altin Xhura, akuzuar për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”
Radvist Dima, akuzuar për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”
Dyshimet për trukim, pushohet çështja për gjyqtarin
Tiranë Pas hetimeve gati 7-mujore, Prokuroria e Tiranës ka vendosur të pushojë akuzën e korrupsionit të arbitrave ndaj Shkëlqim Balliut, gjyqtar Sportiv dhe të dyshuarit tjetër Kozma Kule. Të dy këta persona u arrestuan së bashku me 8 të pandehurit e tjerë në mars të këtij viti, pasi dyshohet se ka marrë para nga i pandehuri Paro Laçi, për të fiksuar rezultatin e ndeshjes Rubiku-Sukthi, e cila përfundoi në barazim 1 me 1. Duke qenë se Paro Laçi ishte president i ekipit të futbollit të Rubikut, fillimisht u dyshua se i kishte dhënë 100 mijë lekë gjyqtarit të futbollit, Shkëlqim Balliut, për të fiksuar rezultatin. Por nga hetimet e prokurorisë nuk është arritur të provohet marrja e parave nga gjyqtari i futbollit dhe as implikimi i të dyshuarit tjetër si ndërmjetës, Kozma Kule. Për këtë arsye, prokuroria ka vendosur pushimin e akuzave ndaj gjyqtarit sportiv Shkëlqim Balliu dhe të dyshuarit tjetër Kozma Kule.