E Shtunë, 31 Tetor 2026

UISH: Pajisni infermierët me maska kundër A/H1N1



Urdhri i Infermierëve Shqiptarë do të hartojë së shpejti një rezolutë përmes së cilës i kërkon qeverisë marrjen e masave për pajisjen e infermierëve me masa mbrojtëse kundër virusit të gripit të derrave. Në kongresin e 5-të, të zhvilluar nga Sindikata e Pavarur e Shëndetësisë i është kërkuar qeverisë rritja e pagave ndaj kësaj kategorie dhe moslargimi i infermierëve në kuadër të qeverisë së re.

Mbledhja

Sipas tyre: “Kushtet e punës për infermierët, mjekët apo fizioterapistët në spitalet tona lënë ende për të dëshiruar, megjithëse kërkesën për përmirësimin e tyre vazhdimisht e kemi ngritur në nivele të ndryshme drejtuese”, - nënvizoi gjatë fjalës së tij presidenti i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi. Lidhur me këtë fakt, presidenti i Sindikatës së Pavarur të Shëndetësisë, Sabri Skënderi, ka shtuar më pas se do të hartohet së shpejti edhe një rezolutë e posaçme, përmes së cilës do t’i kërkohet qeverisë që të pajisen sa më parë punonjësit e shëndetësisë me mjete mbrojtëse në përgjithësi në mjediset spitalore, parë kjo edhe në kuadrin e ekspansionit që pritet të ketë sëmundja e gripit të derrit.

“Do t’i dërgojmë qeverisë një rezolutë në të cilën do t’i kërkojmë që të plotësohet Kodi i Punës dhe që punonjësit e shëndetësisë të jenë të mbrojtur ndaj sëmundjeve të ndryshme. Në këtë rezolutë do të përmbahet edhe kërkesa për sigurimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave për kategoritë e mjekëve, infermierëve dhe gjithë punonjësve të tjerë të shërbimit shëndetësor”, - tha Skënderi.

Më pas, ai pohoi se gjatë muajve që vijnë, Sindikata e Shëndetësisë do të angazhohet për nënshkrimin e kontratave të nivelit të parë me Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe marrëveshje të nivelit të dytë që të mbrohen punonjësit nga largimet e padrejta nga puna.

“Të bëjmë të pamundurën për të mbrojtur interesat e punonjësve dhe për të rritur pagat e tyre. Sidomos, do të punojmë shumë për të siguruar moslargimet e infermierëve, mjekëve apo fizioterapistëve nga puna”, - deklaroi ndër të tjera ai.

Largimet

Ndërkohë që edhe kreu i Bashkimit të Sindikatave Shqiptare, Gëzim Kalaja, gjatë fjalës së tij tha se sindikatat do të punojnë që të kërkojnë që pagat e punonjësve të shëndetësisë të kenë edhe një rritje tjetër gjatë mandatit të dytë qeverisës.

“Ky do të jetë një angazhim real i kësaj qeverie. Por, ajo duhet të na ndihmojë për moslargimet nga puna të punonjësve të sektorit të shëndetësisë”, - tha ndër të tjera ai.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›