Fushë-Krujë;Të dënuar për vrasje, hyjnë në grevë urie në burg
Dy vëllezër të dënuar për veprën penale të vrasjes janë futur në grevë urie që prej ditës së mërkurë në burgun e Fushë-Krujës. Sipas burimeve zyrtare, bëhet e ditur se janë të dënuarit Anton dhe Agron Markaj, nga Shkodra, të cilët mësohet se kanë hyrë në grevë urie për të kundërshtuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, e cila i ka dënuar dy vëllezërit me nga 22 vjet burg secili. Sipas burimeve nga burgu i Fushë-Krujës, dy vëllezërit kanë marrë kontakte me drejtuesit, si dhe me psikologët. Pavarësisht bisedimeve të bëra mes dy të dënuarve si dhe drejtuesve të burgut për të dalë nga greva, dy vëllezërit kanë kundërshtuar të marrin ushqimet e burgut, si dhe ato të sjella nga ana e të afërmve të tyre. Burimet kanë shtuar se vëllezërit Markaj kanë vendosur ta vazhdojnë grevën e urisë deri në marrjen e një përgjigjeje, si dhe rifillimin e gjykimit të tyre për të hedhur dritë mbi të vërtetën. Anton dhe Agron Markaj janë dënuar nga gjykata me nga 22 vjet burg, pasi janë shpallur fajtorë për veprat penale të “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, të dhënë më 22 shkurt të vitit 2008, dy vëllezërit akuzoheshin për vrasjen e Gjelosh Ftonit, në vitin 1998 në fshatin Ças të Velipojës. Dy vëllezërit, Anton e Agron Markaj, përkatësisht 30 dhe 28 vjeç, u ndaluan nga policia që në gusht të vitit 2003, pasi ata dyshoheshin si autorë të disa veprave penale. Në atë kohë ata ishin dënuar nga gjykata me nga 10 dhe 13 vjet burg për “vjedhje me armë” dhe policia kishte dështuar disa herë në operacionet për arrestimin e tyre. Madje në operacionin e prangosjes së dy vëllezërve, në vitin 2003, u angazhuan dhe forca të FNSH-së, që u mbështetën nga një blind.