UKRAINË – Arrin në 49 numri i të vdekurve në Poltava, në një nga sulmet më të rënda ruse deri tani

KIEV, 4 shtator /ATSH-DPA/ – Të paktën 49 njerëz u vranë dhe të paktën 219 u plagosën në qytetin qendror të Ukrainës, Poltava, në atë që ishte një nga sulmet ajrore më vdekjeprurëse ruse në vend në më shumë se dy vjet luftë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, Dmytro Lasutkin, konfirmoi dje në mbrëmje shifrat e fundit të viktimave në televizionin ukrainas.
Më parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se dy raketa balistike kishin shënjestruar “një institucion arsimor dhe një spital aty pranë” në Poltova, rreth 280 kilometra në lindje të Kievit dhe rreth 110 kilometra nga kufiri rus.
Sipas presidentit, ndërtesa e institutit të telekomunikacionit është dëmtuar rëndë nga sulmi.
“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje të gjithëve në botë që kanë fuqinë për të ndaluar këtë terrorizëm: Ukraina ka nevojë për sisteme dhe raketa të mbrojtjes ajrore tani, jo depo”, shkroi Zelensky në Telegram.
Imazhet që qarkulluan në mediat sociale treguan trupa të shtrirë përpara një ndërtese shumëkatëshe të dëmtuar rëndë, me sa duket Institutit Ushtarak të Telekomunikacionit të Institutit Politeknik të Kievit në Poltava./ /os/