E Martë, 3 Nëntor 2026

UKRAINË – Raportohen sulme të reja pavarësisht armëpushimit të shpallur nga Putini

KIEV, 8 maj /ATSH-DPA/- Autoritetet ukrainase raportuan sot në mëngjes sulme të reja pavarësisht armëpushimit të njëanshëm të shpallur nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili thuhet se hyri në fuqi në mesnatë (21:00 ).

“Avionët rusë hodhën bomba të drejtuara mbi rajonin verior, Sumy”, thanë Forcat Ajrore Ukrainase në Telegram, duke paralajmëruar për sulme ajrore të vazhdueshme në drejtim të lindjes.

“Ndërkohë, alarme dhe sulme me dronë u raportuan gjithashtu sot në mëngjes në rajonin Lipetsk në Rusinë perëndimore”, sipas guvernatorit rajonal, Igor Artamonov.

Informacioni i dhënë nga të dyja palët nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

“Një armëpushim i njëanshëm 72-orësh i shpallur nga Moska hyri në fuqi menjëherë pas mesnatës”, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.

Putini njoftoi armëpushimin me rastin e festimeve vjetore të Ditës së Fitores në Rusi më 9 maj, ku do të përkujtohet fundi i Luftës së Dytë Botërore në Evropë.

Ukraina e ka hedhur poshtë këtë akt të Rusisë si simbolik dhe, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdon të bëjë thirrje për një armëpushim minimal prej 30 ditësh. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›