E Shtunë, 31 Tetor 2026

UKT-ja së shpejti nën administrimin e bashkisë

Kryebashkiaku Lulzim Basha, në takimin e parë këshillimor për Planin e ri Urbanistik të Tiranës, tha se në mbledhjen e ardhshme do t’i paraqitet Këshillit Bashkiak marrja përsipër e përgjegjësive për furnizimin e banorëve të kryeqytetit me ujë nga bashkia. apo Kjo nënkupton përfundimin e procesit të transferimit të pronësisë dhe përgjegjësisë për Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve tek asambleja e aksionerëve, ku Bashkia e Tiranës me 72. 5 për qind është aksioneri kryesor dhe vendimmarrës.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime në Tiranë, prej kohësh ka qenë objekt konflikti mes qeverisjes qendrore dhe Bashkisë së Tiranës.  Procesi i transferimit të Ujësjellës- Kanalizimeve është realizuar me të gjitha bashkitë e tjera në vend, përveç dy më të mëdhave, Tiranës dhe Durrësit.

Me lajmin e dhënë sot nga kryebashkiaku Basha, ky detyrim ligjor i bashkisë së kryeqytetit pritet të përmbushet së shpejti, pasi ajo është aksioneri kryesor në ndërmarrje.

Administrata e mëparshme e Bashkisë së Tiranës pretendonte që ta drejtonte e vetme Ndërmarrjen e UKT-së, por qeveria shqiptare gjykonte se kërkesa e bashkisë ishte në kundërshtim me studimin e fizibilitetit në funksionimin e ndërmarrjes në gjithë hapësirën e Tiranës së madhe dhe jo vetëm Tiranës së mbuluar nga bashkia.

Në vitin 2003 u bë bashkimi i Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime Qytet - e cila asokohe varej nga Ministria e Ekonomisë, me Ndërmarrjen e Ujësjellësit Fshat në varësi të Qarkut të Tiranës si dhe shkrirja e ish-Ndërmarrjes 4 që i shërbente me kanalizime vetëm 40 për qind të komunave të Tiranës.

Në 2007-ën Shoqëria Strategjike Ujësjellës Kanalizime Tiranë, u transferua në pronësi të njësive vendore të zonës së shërbimit që përbëhet nga 3 bashki dhe 16 komuna. Licenca e fundit e shoqërisë është rinovuar nga Komisioni Kombëtar Rregullator i Ujit në Mars të 2010-ës, pas një procesi monitorimi dhe vlerësimi të përmbushjes së të gjitha kërkesave për këtë licencë nga Enti Rregullator i Ujit.
/Start/E.B/

                                                                                             2012-02-10 16:28
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›