E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNESCO premton komunikim dhe bashkëpunim

Gjatë një pritjeje të hënën, ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, informoi disa zyrtarë të lartë të UNESCO’s për punën në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, por edhe për artefaktet e Kosovës që ende mbahen ‘peng’ në Beograd.

Si shembull të mirë, në këtë kontekst, ai përmendi rastin e Gjermanisë, e cila shumë shpejtë do t’ia dorëzojë Kosovës artefaktet e gjetura atje para disa vitesh. Krasniqi përmendi edhe të arriturat e deritanishme në lëmin e trashëgimisë, si ndryshimin e ligjit për trashëgimi, miratimin e listës së përkohshme për mbrojtjen e monumenteve, programin për intervenime emergjente, etj. Po ashtu, ministri kosovar kërkoi që, edhe pse Kosova s’është anëtare e UNESCO’s, ky mekanizëm të ndryshojë qasje ndaj Kosovës, në mënyrë që vendi të ketë mundësi promovimi dhe mbështetjeje në lëmin e trashëgimisë.

Përderisa premtuan vazhdimin e komunikimit dhe bashkëpunimit, zyrtarët e UNESCO’s pohuan se tashmë kanë një vizion më ndryshe për Kosovën, për dallim nga informacionet që i posedonin deri më tani – kryesisht nga Serbia. Ata qëndruan në Kosovë që të shihnin nga afër gjendjen e trashëgimisë dhe diversitetin kulturor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›