Qasjes së vjetër të Serbisë, duhet kundërvënë me konsensus

Deklarata e presidentit të ri serb, Tomisllav Nikoliq se nuk heq dorë nga Kosova, i cili sot edhe ka zhvilluar një takim me kryetarët ilegal të komunave në veri të Kosovës, konsiderohet si vazhdimësi e politikës së vjetër ndaj Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se të gjitha vendimet që janë nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës janë obligative për Qeverinë e Kosovës.
“Janë në fuqi të gjitha vendimet e Kuvendit të Kosovës. Ato janë obligative për institucionet e vendit. Nuk flas për rekomandime, por flas për vendime të cilat obligojnë institucionet e vendit. Asnjë institucion nuk guxon të shkel këto vendime. Rezoluta e Kuvendit të Kosovës obligon Qeverinë dhe gjithë të tjerët që të respektojnë tërësinë territoriale të Kosovës”, ka theksuar Grabovci.
Për më tepër, ai ka shtuar se veriu është pjesë e Kosovës. Qytetarët në Mitrovicë dhe tërë në territorin e Kosovës janë qytetarë të Kosovës. Sipas tij, duhet një dialog me ata qytetarë në mënyrë që të dihen problemet dhe shqetësimet që kanë.
Grabovci ka shtuar se çdo zgjidhje tjetër, përveç pakos së Ahtisarit, është e papranueshme për Grupin Parlamentar të PDK-së.
Gjithashtu, ai ka kërkuar nga organet ndërkombëtare që të shtojnë angazhimin e vet dhe të përmbushin obligimet dhe përgjegjësitë të cilat i kanë marr.
I pyetur se a do të ndërroj PDK-ja partnerin e koalicionit për të hyrë në një dialog të ri edhe për veriun e Kosovës, Grabovci ka thënë se koalicioni, tani për tani, është stabil.
Nga ana tjetër deputetja nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se qëndrimi i Serbisë nuk ka ndryshuar aspak.
“Në fakt ky qëndrim ka ekzistuar edhe më parë, mirëpo është mbajtur më perfide do të thoja. Nuk është thënë publikisht do të thoja. Kemi pasur një president të Serbisë i cili në një anë që thoshte proevropian si një president që ka promovuar vlera evropiane dhe në anën tjetër ka promovuar vlera antievropiane në praktik duke shkelur sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”, ka deklaruar Osmani.
Deputetja ka shtuar se tani ku në krye të Serbisë është një radikal, BE-ja nuk do të ketë më argumente për të përkrahur një person që me çdo veprim të vetin në gjithë karrierën politike ka kundërshtuar dhe ka shkelur çdo vlerë evropiane.
Gjithashtu, Osmani ka thënë se duhet të ketë një bashkërendim të një konsensusi politik për t’ju kundërvënë kësaj politike të Serbisë. “Tani këto veprime të fundit tregojnë që shumë më agresive Serbia do të angazhohet për ndarje të Kosovës. Ajo çka duhet të kemi një bashkërendim dhe të një konsensusi politik sepse deri tani kemi pas një dialog politik me Serbinë i cili nuk ka pas aspak konsensus politik në vend”, ka deklaruar deputetja Osmani.
Ndërsa deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se kjo politikë e Serbisë ka qenë edhe më herët për ndarje të Kosovës dhe është anti-shqiptare.
“Nuk mund të quaj ripozicionim të problemit të Kosovës për shkak se po vazhdon si në kohën e Millosheviqit, Tadiqit e Nikoliqit të ketë një pozicion dhe ky pozicion po vazhdon të mbetet anti-Kosovë, anti-Republikë e Kosovës dhe në përgjithësi anti-shqiptare”, ka thënë Selimi.
Ai ka thënë se Vetëvendosje e ka qëndrimin dhe konceptin që nuk duhet të dialogohet me Serbinë për të drejtat tona, për shtetin tonë.
Ndërsa deputeti nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se Beogradi nuk duhet të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës, por duhet të zbatoj marrëveshjet e arritura.
“Ne konsiderojmë që nuk duhet lejuar Beogradi të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës dhe në territorin e Kosovës dhe kjo duhet të jetë vija e kuqe për Beogradin sepse nuk i ka zbatuar marrëveshjet edhe ashtu të kritikuara dhe në vazhdimësi ka bërë agresion në territorin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Isufi.
Me ardhjen e Tomisllav Nikoliqit në krye të shtetit në Serbi, politika serbe për ndarje të Kosovës, ka filluar të shpërfaqet me thekshëm edhe në rrafshin deklarativ. /kosovapress/