E Diel, 1 Nëntor 2026

UNICEF: Të paktën 400 fëmijë të vrarë që prej fillimit të revoltës në Siri

GJENEVË- Të paktën 400 fëmijë janë vrarë në Siri që prej fillimit të revoltës kundër regjimit të presidentit, Bachar al-Assad në muajin mars 2011, theksoi sot Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

"Sipas shifrave që disponojmë, dhjetori ka qenë muaji më i dhunshëm për fëmijët në Siri'', deklaroi një zëdhënëse e UNICEF-it, Marixie Mercado, në një konferencë shtypi.

Ajo theksoi se ''të paktën 400 fëmijë ishin vrarë pas më shumë se 10 muaj revoltë. Përveç të tjerash, të paktën 400 të tjerë janë ndaluar gjatë kësaj periudhe'', shtoi ajo.

"Ekzistojnë raporte që tregojnë se ka pasur fëmijë të arrestuar arbitrarisht, të torturuar dhe abuzuar seksualisht gjatë ndalimit të tyre'', shprehu me keqardhje Mercado.

UNICEF shprehu shqetësimin për situatën në Homs, ku ditët e fundit kanë humbur jetën qindra persona.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›