E Diel, 1 Nëntor 2026

UNICEF miraton programin e ri 2027-2031 për Shqipërinë, në fokus mbrojtja dhe aftësitë e fëmijëve

TIRANË, 3 shtator/ATSH/ Bordi ekzekutiv i UNICEF ka miratuar programin e ri për Shqipërinë për periudhën 2027-2031, i hartuar në bashkëpunim me UNICEF Albania dhe Qeverinë shqiptare.

Programi përcakton prioritetet dhe udhërrëfyesin e përbashkët për pesë vitet e ardhshme, me fokus te përmirësimi i mirëqenies, mbrojtjes dhe zhvillimit të fëmijëve në Shqipëri.

Sipas UNICEF Albania, puna do të përqendrohet në tri prioritete kryesore: kujdesi dhe mbrojtja, me synim reduktimin e varfërisë dhe përjashtimit të fëmijëve dhe forcimin e sistemeve të mbrojtjes; të nxënit dhe aftësitë, për përmirësimin e rezultateve në arsim dhe zhvillimin e aftësive për jetën dhe punën; si dhe qeverisja dhe llogaridhënia për të drejtat e fëmijëve.

Ky prioritet i fundit synon forcimin e të dhënave, institucioneve, partneriteteve dhe mekanizmave të llogaridhënies, për të siguruar rezultate të matshme për fëmijët.

Programi i ri do të harmonizojë punën e UNICEF në Shqipëri me prioritetet kombëtare të zhvillimit dhe angazhimet ndërkombëtare të vendit, përfshirë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

UNICEF Albania thekson se programi synon të garantojë që çdo fëmijë në Shqipëri të ketë mundësi të rritet, të mësojë dhe të jetë i mbrojtur, me vëmendje të veçantë ndaj fëmijëve më të cenueshëm.

Sipas UNICEF, barazia, përfshirja, forcimi i sistemeve, inovacioni dhe partneritetet do të jenë në qendër të përpjekjeve për të sjellë ndryshime të qëndrueshme për fëmijët në Shqipëri.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›