E Hënë, 2 Nëntor 2026

“UP to Start” në Gjirokastër, të rinjtë trajnohen si të zhvillojnë idetë sipërmarrëse

Nga Gjirokastra ka startuar akademia “UP to Start”, një organizim i SME Albania dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë, që synon pajisjen e të rinjve me njohuri praktike mbi mënyrën se si të fillojnë dhe të menaxhojnë me sukses biznesin e tyre.

“Që në momentin që kanë një ide, ajo ide futet në inkubator për të marrë të gjitha bazat e një plani biznesi, në mënyrë që një sipërmarrje, kur starton, të jetë e suksesshme dhe të parashikojë të gjitha risket deri në një plan trevjeçar për zhvillimin e saj. Mënyrat se si duhet të regjistrohen, të gjitha procedurat për t’u regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, për regjistrimin e dizenjove apo markave, shpikjeve të tyre apo shtypshkronjave industriale. Po ashtu, fondet nga të cilat mund të përfitojnë, qoftë nga donatorë shtetërorë apo organizata ndërkombëtare që kanë fonde në dispozicion të sipërmarrjes,” u shpreh Daniel Guçe, drejtor i programit.

Pjesë e sesioneve interaktive dhe trajnimeve treditore nga ekspertë të fushës u bënë 30 të rinj të grupmoshës 18–29 vjeç.

“Ishte një trajnim shumë i vlefshëm për ne të rinjtë. Shpërndamë ide dhe morëm informacione shumë të dobishme lidhur me sipërmarrjet, në mënyrë që të marrim informacionet e duhura,” tha Majlinda Memusha, studente.

Pas përfundimit të akademisë, pjesëmarrësit përfituan jo vetëm certifikatën e pjesëmarrjes, por edhe akses në rrjetin e alumnit, mundësi për mentorim individual dhe mbështetje të vazhdueshme nga ekipi i SME Albania për zhvillimin e mëtejshëm të ideve të tyre sipërmarrëse.

Gazetare: Yllka Ponde

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›