E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarr në një mobileri në Vlorë, dëme të konsiderueshme materiale

Një zjarr ka përfshirë në orët e para të mëngjesit një mobileri në qytetin e Vlorës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, në katin e parë të objektit, ku flakët janë përhapur me shpejtësi në ambientet e brendshme të biznesit.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur izolimin e zjarrit dhe shmangien e përhapjes së tij në katet e tjera apo në bizneset përreth.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes.

Flet pronari i mobilerisë: Ambienti i dhënë me qira, nuk kam asnjë konflikt

Pas ngjarjes, është prononcuar pronari i mobilerisë, i cili shprehet se nuk ka asnjë konflikt personal dhe thekson se ambienti ishte i lëshuar me qira. Ai shpreh besimin se drejtësia do ta zbardhë ngjarjen shumë shpejt.

“Nuk kam asnjë konflikt, jam një njeri paqësor. Ia lë gjithçka në dorë drejtësisë, e cila është e detyruar ta zbardhë ngjarjen, pasi ka edhe pamjet nga kamerat e sigurisë. Personi është i dukshëm dhe mendoj se shumë shpejt do të zbardhet ngjarja. Dëmi nuk është për përllogaritur saktësisht, por mund të shkojë rreth 3 milionë lekë të reja. Sot, rreth orës 03:00 të mëngjesit, më lajmëroi një banore që kishte parë zjarrin dhe më njoftoi menjëherë në telefon. Menjëherë kontaktova qiradhënësin, i cili është edhe komshiu im. Njerëzit me të cilët punoj dhe bashkëpunoj, nuk kam asnjë lloj dyshimi për ta,” tha pronari i mobilerisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›