E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tekstet, klasa e 11-të me librat më të shtrenjtë

Çmimet e teksteve për vitin shkollor 2011-2012 nuk kanë pësuar ndryshim krahasuar me një vit më parë. Kështu deklarojnë autoritetet e arsimit, të cilat shpjegojnë formulën e përllogaritjes së çmimit të librave, duke treguar dhe sa kushtojnë për klasa të veçanta seti i librave. “Në rast se një libër vitin e kaluar, botim i vitit 2010, ka kushtuar 3 mijë lekë të vjetra, këtë vit, botimi i vitit 2011 është 3100 lekë të vjetra, domethënë kaq është shtesa. Përsa i përket kostos së një seti, për shembull seti i klasës së parë është afërsisht 8.3 euro, apo 12 mijë lekë të vjetra ka kushtuar vitin e kaluar. Këtë vit, do të kushtojë 3.5 për qind më shumë, domethënë një shifër fare e papërfillshme”, - thotë këshilltari i ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi. Sipas të dhënave të përllogaritura, klasa e 11-të ka dhe setin më të shtrenjtë, pasi ka dhe më shumë libra. Këshilltari i ministrit të Arsimit shpjegon se shtëpitë botuese nuk kanë të drejtë të ndryshojnë çmimet e teksteve nga ai i përcaktuar në katalogun e miratuar dhe nga autoritetet e arsimit, që është i publikuar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit. “Asnjë botues nuk mund ta shesë librin mbi çmimin e katalogut të vitit 2011, kështu që ne nuk kemi pasur problem në lidhje me këtë”, - pohon Kristiqi. Afati i fundit për shpërndarjen e teksteve shkollore është data 19 shtator. Pas kësaj date, të gjithë mund t’i gjejnë librat edhe në libraritë private që merren me tregtimin e tyre, por me çmime edhe më të larta.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›