E Shtunë, 31 Tetor 2026

UT, përparësi studentëve që kanë mbaruar jashtë

Punësimi i pedagogëve të rinj, Universiteti i Tiranës shpall kriteret. Fiton vend pune kush ka “Medalje Ari”

Dorëzimi i dokumenteve do të fillojë më datë 11 Gusht, ndërsa fituesit do të shpallen një muaj më pas

Mesatare mbi 8 ose 9-të, sipas universitetit ku kanë kryer studimet dhe mundësisht, “Medalje Ari”! Asnjë kandidat që nuk plotëson kriterin e mësipërm, nuk do të vazhdojë garën për të fituar një vend pune si pedagog në Universitetin e Tiranës. Kështu ka vendosur në mbledhjen e fundit Universiteti i Tiranës, ndërsa ka miratuar kriteret e përgjithshme dhe të veçanta për punësimin pedagogëve të rinj në degët e tetë fakulteteve të tij. Në auditoret e Tiranës, këtë vit është vendosur të punësohen 160 akademikë të rinj, ku numrin më të lartë të kërkesave e ka Fakulteti Ekonomik. Për të përshpejtuar ritmet, duke qenë se viti akademik është në prag të fillimit, Rektorati i Universitetit të Tiranës ka dorëzuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, buletinin e shkollave të larta për vendet e lira të punës, agjenci që do të bëjë edhe përzgjedhjen e pedagogëve. Këtë vit do të pranohen në universitete 21 mijë studentë, 7 mijë më shumë se vitin e kaluar, ku peshën më të madhe do ta mbajë Universiteti i Tiranës. Për këtë arsye, është parë e nevojshme, rritja e numrit të pedagogëve në auditore, rritje e cila do të mundësojë sadopak barazpeshimin e raportit midis numrit të studentëve dhe pedagogëve.

Për ata që kanë përfunduar studimet brenda vendit, nota mesatare e pranimit, do të jetë 9-të e lart, ndërsa për ata që kanë mbaruar jashtë, nota mesatare është vendosur të jetë 8 e sipër. Sipas informacionit të mbërritur nga Universiteti i Tiranës, kandidatët konkurrentë për pedagogë, duhet të jenë të diplomuar në fushën përkatëse, brenda dhe jashtë vendit. Përpos vendimit të Universitetit të Tiranës, secili departament në fakultete ka miratuar edhe kritere të veçanta të cilat plotësojnë kuadrin ligjor të përzgjedhjes së fituesve. Kështu, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë ka shpallur 10 vende të lira pune për personel akademik. Kandidatët për pedagogë për të aplikuar në degët universitare të këtij fakulteti duhet që të kenë gradë dhe tituj shkencorë, brenda dhe jashtë vendit, si edhe të kenë përfunduar studimet me “Medalje Ari”. Krahas kritereve të mësipërme, kandidatët që do të kërkojnë të punësohen në këtë fakultet, duhet të kenë eksperiencë si lektorë jashtë vendit dhe të kenë publikur punimet e tyre.

Sikurse u theksua në hyrje të shkrimit, numrin më të madh të pranimit të pedagogëve të rinj do ta ketë Fakulteti Ekonomik. Në këtë fakultet do të punësohen këtë vit akademik 35 pedagogë, të cilët do të shpërndahen edhe në bazë të kërkesave të mbërritura nga filialet e Fakultetit të Ekonomisë në qytetet e Sarandës dhe Kukësit. Ashtu si Fakulteti Histori-Filologji, edhe Ekonomiku, ka miratuar si kritere për kandidatët, pasjen e gradës dhe titujve shkencorë, përfundimin e studimeve me “Medalje Ari”, eksperiencë si lektorë jashtë vendit si edhe të kenë publikuar në revista prestigjoze punimet e tyre. Për kandidatët të cilët paraqesin kërkesën për t’u punësuar si pedagogë në filialet e këtij fakulteti, është përcaktuar si kriter që këta të fundit të jenë me vendbanim në Sarandë dhe Kukës.

Kritere të ngjashme kërkohen edhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Në këtë fakultet, këtë vit do të punësohen 23 pedagogë të rinj, kjo edhe për shkak të shtimit të numrit të studentëve. Numër të lartë të pedagogëve të punësuar do të ketë edhe në Fakultetin e Drejtësisë. Në këtë fakultet për pedagogët e rinj do të jenë të lira 30 vende, ndërsa në Fakultetin e Shkencave Natyrore 15 vende të tilla. Por në ndryshim nga departamentet e tjera, Departamenti i Informatikës, Biologjisë dhe Matematikës në Fakultetin e Shkencës së Natyrave ka përcaktuar se mosha e kandidatit duhet të jetë jo më shumë se 40 vjeç, për shkak të specifikës së këtyre degëve. Edhe Fakuteti i Shkencave Sociale, i cili ka shpallur 21 vende të lira pune, ka vendosur kritere të veçanta, që kanë lidhje me tituj shkencorë, eksperiencë si lektorë jashtë vendit, mestare të lartë etj., por kërkon që mosha e aplikantit për pedagogë duhet të jetë nën 50 vjeç.

Në Fakultetin e Infermierisë kërkohen 16 pedagogë, prej të cilëve tre konkurrentët e Departamentit të Informatikës duhet të jenë nën moshën 50 vjeç. Ndërsa Fakulteti i Mjekësisë, i cili do të çelë konkurs për 10 pedagogë, ka përcaktuar veç kritereve të veçanta edhe dokumentacionin që duhet të dorëzojë çdo konkurent.

Aplikimet e kandidatëve për pedagogë me kohë të plotë pranë Universitetit të Tiranës do të nisin më 11 gusht dhe do të vijojnë deri në fund të këtij muaji. Dokumentacionet përkatëse për punësim do të dorëzohen në kancelarinë e Rektoratit, nga ku më tej do të bëhet edhe përzgjedhja e fituesve. Në vitin akademik 2008-2009, do të ulen për herë të parë në auditore 21 mijë studentë, nga të cilët rreth 1500 do t’i përkasin studentëve që përfitojnë nga kuotat dytësore. Degët që do të kenë numrin më të madh të pranimeve do të jenë Teknologji e Informacionit, Informatikë, Turizëm, Shkenca të Natyrës e Inxhinierike, ndërsa tarifat vjetore të shkollimit do të mbeten të njëjta, si një vit më parë.

Universiteti i Tiranës, në ndryshim nga homologët e saj në Shqipëri, vazhdon të mos ketë faqe zyrtare interneti. Situata vazhdon e tillë prej mëse 5 muajsh, me justifikimin e mungesës së financave, ndërkohë që nuk dihet se kur studentët që kryejnë studimet në këtë institucion prestigjoz të arsimit të lartë publik, do të kenë mundësi të marrin informacionin e duhur. Kohë më parë, drejtues të Universitetit të Tiranës, u shprehën se shkak për mbylljen e faqes zyrtare të internetit www.unitir.edu.al, ishte mungesa e fondeve dhe e kancelarit të institucionit. Por kur kanë kaluar mëse dy muaj nga miratimi i ligjit për kancelarët, faqja zyrtare e internetit të Universitetit të Tiranës, vazhdon të mos ketë akses për studentët apo individët që kërkojnë të informohen mbi mbarëvajtjen e punëve në këtë institucion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›