Nderi - virtyti që ka shoqëruar 100 vitet e shtetit shqiptar
“Nderi” a “erzi” për shqiptarin në përgjithësi e për banorin e maleve, në mënyrë të posaçme, ka qenë gjithnjë virtyt, që ua kalon të gjitha virtyteve të tjera të natyrshme; ka qenë e mbetet gjëja më e çmuar e vlera më e madhe e vetë jetës.
Ku është nderi, janë gjitha të mirat!
Sipas Kanunit, ai të cilit i merret nderi, është i vdekur!
Me fjalën “nder” shqiptari nënkupton jo vetëm prirjen për të ndenjur larg punëve të turpshme, prej çdo gjëje, që ka të bëjë me flligështinë e, në mënyrë të paligjshme, me femëra, por nënkupton edhe pjesën pozitive, domethënë, edhe gjithçka e nderon dhe ia larton vlerat përballë vetes e të tjerëve.
Fjala”nder” në mendje të shqiptarit përmbledh një mori ndjesish të veçanta, që kanë lidhje me gjithçka e rrethon e i përket drejtpërdrejt a terthoras: njeri, familje, gjak e gjini, vatër e vendlindje e, sidomos, doket e të parëve. “Dy gisht nder në lule të ballit na i ngjiti Zoti i madh”.1
Në traditën shqiptare, njeriu është nder-humbur e i koritur, në se ndokush, faqe burrave në kuvend, i thotë se gënjen, në se e pështyn, i matet, e shtyn a i bie kush; në se ia prish ndërmjetësinë e ia thyen besën; ia dhunon gruan a ia bën të iki nga shtëpia, ia turpëron armët e krahut a të brezit, ia dhunon bukën, duke ia ngacmuar mikun e punëtorin; ia thyen shtëpinë, vathin a kotecin në oborr, nuk ia kthen huanë, ia luan gurin e kufirit a rrasën e vegshit në vatër, i merr rendin e larjes së duarve, kur ulet në sofër për të ngrënë në ndonjë dasëm, festë a mort, etj etj…. 2
Tradita tregon se shqiptari e ruan nderin me të gjitha forcat, se nuk duron t’i preket nderi i tij, as i njerëzve e i shtëpisë së tij. “Pa nder s’ka shka e ban njeri të gjallët” . Kjo ishte fjala e zakonshme e shqiptarit. Ishte parim. Mbi bazën e këtij parimi shqiptari mbronte nderin e gruas, të motrave të rritura, të çdo pjesëtari të familjes, por edhe nderin e fëmijëve. Po të hetonte se ndonjë djalosh i huaj kishte ngacmuar me fjalë një vajzë të vogël të shtëpisë, i zoti i shtëpisë i çonte menjëherë fjalë babait të atij çapkëni, duke i kërkuar “ta shtrëngonte, në se dëshironte që puna të mbetej vetëm me kaq”. Po të përsëritej e të shkonte më tej, edhe me vullnet të vajzës, nuk merrej parasysh asnjë arsye lehtësuese. Ky gabim, në shumicën e rasteve, lahej vetëm me vrasje.
Kryesisht nëna e kishte gjithnjë nën kujdes nderin e vajzave e, me mënyra të mirëmenduara, i mësonte të mos sillen tepër lirshëm me djemtë, për të mos i ngjallur ngatërresa vetes e shtëpisë, duke ia nxirë fytyrën babait e vëllezërve. Prandaj çika e traditës turpërohet gjithnjë para burrave e djemëve e rri kokulur në kuvend të tyre. Po ndeshi kënd rrugës, ndalet e ia lëshon shtegun. Flet me kokë ulur me të huajtë e, si rritet, nuk çohet më vetëm as në mulli, as për ujë, as me berre e as me lopë.
Prindërit e mirë ruheshin të mos flisnin gjëra pa vend e me kuptim të keq në sy të fëmijëve.
Thuhej, e vijon të thuhet, se një shtëpi është fisnike, kur është e ndershme.
Doke të vjetra? Të harruara? Pa kuptim? Apo tejet aktuale në një botë që, duke u larguar gjithnjë më tepër nga mendësia fshatare, bën të vetat me shpejtësi rrufeje veset, duke i shikuar virtytet si të vjetëruara. Po jeta tregon se koncepti i nderit nuk vjetrohet kurrë, as në fshatrat e djeshme, e as në qytetet e mëdha, kah të cilat vijojnë të dynden shqiptarët, të cilët shpesh vriten e ngujohen, duke i ngatërruar keqas virtytet që sjellin me vete, me veset, që ndeshin në rrethanat e reja të jetës. Ndërsa nderi, edhe në epokën dixhitale, mbetet po ai, që ishte në vathin e bagëtive. Ndërrojnë format, por jo thelbi!
Prej këndej, mbi këtë virtyt, populli ka krijuar një sërë fjalësh të urta. Po kujtojmë vetëm disa:
Nderin mos e kërko, fitoje!
Nderi nuk shitet, as nuk blihet.
Nderin më shumë e jep vetë, se ta marrin të tjerët.
E, së fundi, një nga fjalët e urta të Mid’hat Frashërit:
“Që të mund njeriu të jetë kurdoherë i ndershëm, të mbajë kundër çdo ngjarjeje dhe rënieje ndershmërinë dhe integritetin e tij, duhet ta marrë në sy që të mund të rrijë një ditë me këpucë të vjetëruara dhe hajë buk’ e djathë. Çdo njeri që është në mizerje, s’është padyshim kurdoherë i ndershëm, po ay që s’duron dot mizerjen dhe privacionin, s’mund që të mbajë ndershmërinë e tij”.
Virtytet tradicionale të shqiptarit - Mirërritja e fëmijëve në Mirditë/Si ndër krahina të tjera të Shqipërisë, edhe në Mirditë vërejmë pak a shumë të njëjtën mënyrë edukate a mirërritjeje, me të gjitha virtytet kombëtare, ndonëse jo pa vese. Baza e mirërritjes në Mirditë ka qenë gjithnjë besimi në Zotin e drejtimi i fesë. Duhet theksuar se mirditorët, sipas traditës, nuk flisnin lirisht e nuk përdornin fjalë të papërshtatshme, sidomos në sy të fëmijëve e të grave. Vajzat e gratë nuk çoheshin çobanesha, as me qengja, as me keca, as me dhi e as me lopë, veç shumë-shumë brenda kufijve të shtëpisë.
Fëmijëve u jepej mësim më shumë me vërejtje serioze, sesa me ndëshkime e të rrahura.
Babai i edukonte fëmijët që ta donin, por edhe ta dronin.
Mirditasi, pas mirërritjes familjare e pas rrethit ku rritej, paraqitej në shoqëri me disa veçanti të posaçme, që nuk i vërejmë në vise të tjera. I mirditasi ka qenë gjithnjë tip i zgjuar, që pyet e përgjigjet në mënyrë alegorike. Gjithnjë besnik, ishte shumë i peshuar në bisedë. Nuk ia hapte kujt shpirtin lehtas. Më shumë blinte, sesa shiste. Shumë i disiplinuar, në kuvend nuk e çonte kurrë zërin, por priste të fliste, kur t’i vinte rendi.
I shtrohej urdhërit të më të mëdhenjve pa shumë vështirësi. Shquhej për mikpritje. Sado i varfër të ishte, nuk e linte kurrë jashtë mikun, që i trokiste në portë, por e priste me gjithë zemër.
I mirditasi u shqua gjithnjë për trimëri, por edhe për gjaknxehtësi, nganjëherë deri në marrëzi, deri në shkrehjen e pushkës për gjëra fare pa vlerë. I mbetej shpejt hatri, fyhej për çkado e nuk e harronte lehtë fjalën e keqe. Në pikëpamje fetare, mirditasi ka qenë gjithnjë besimtar, plot nderim për të parët e fesë, për Kishë, për vende të shenjta, për varre e varreza. Ai vinte kryqe në dyert e shtëpisë, në vath, në arë e në rrugë të vështira, si dhe aty ku bëhej pushimi i udhëtarit. E kishte tepër frikë benë në Kishë. Ishte fort e përbuzur hajdutëria në Mirditë. Ai që kapej duke vjedhur, mbahej si njeri i poshtër dhe ndëshkohej duke paguar dy për një. Por, mjerisht, për shkak të katundeve në kufi me fushë, të dhëna pas hajdutërisë e pas cubërisë, kjo njollë u shtri mbi gjithë Mirditën aq, sa të mbetet në kujtesë të popullit shprehja: “Mirdita ka fenë e hajninë”.
E vërteta historike është se në kohë të Turqisë e edhe më vonë, bëheshin së bashku 50-60 burra prej shumë katundesh të Mirditës e shkonin në vende të largëta, si në Fushë Dibër e në Lumë, ku plaçkisnin, duke marrë me vete gjithfarë bagëtish: dhen, dhi, lopë, kuaj, deri në njëmijë krerë, që pastaj i ndanin ndërmjet tyre. Kujtuam veset, pas virtyteve të shumta të Mirditës, sepse të dytat peshojnë shumë më rëndë e vlejnë shumë më tepër, edhe sot, si modele për të zgjedhur një rrugë të re, rrugën e përtëritjes, pas shndërrimeve të shumta, nga të cilat nuk shpëtuan Mirdita, as mirditori.