Mos harroni Konstandinët!
PANDELI MAJKO
Jam i dyzuar nëse duhet të jem unë ai që duhet të shkruaj për këtë temë. Unë vij nga një familje me lidhje të forta me Luftën Nacionalçlirimtare dhe thuajse i gjithë brezi i parë i familjarëve të pas-Luftës së Dytë Botërore nga nëna dhe babai im, ishin komunistë. Pavarësisht kësaj tradite familjare, ndiej detyrim njerëzor për të folur për një temë që në fakt është një tragjedi. E kam fjalën për varret e humbura të kundërshtarëve të regjimit komunist. Nuk bëhet fjalë për rastësi, por për një thuajse rit diabolik të urdhëruar për të mos ua dhënë kufomat e kundërshtarëve të regjimit komunist familjarëve të tyre. Fotoja e Murit të kujtesës që ekziston në SHBA për ushtarët e rënë dhe të humbur në Vietnam, është diçka që më ka ngacmuar njerëzisht. Pse jo edhe në Shqipëri? Pse nuk ngrihet NJE MUR KUJTESE për të gjithë ata që u vranë pse mendonin ndryshe apo edhe pse luftuan që Shqipëria të ishte ndryshe? Në vendin tonë, me përjashtim të një skulpture moderniste pranë godinës së Kuvendit të Shqipërisë, e kaluara kujtohet me botime dosierësh apo edhe më keq, me lajme për protestat e ish-të përndjekurve politikë për të drejtat e tyre. Të tjerat janë një histori e lodhur me lista të botuara në të përditshmet për marrje kompensimesh. Një seksion i sapongritur në Muzeun Kombëtar dhe një Institut kujtese për periudhën komuniste është shumë pak për ta konsideruar këtë si kujtesë të së kaluarës. Këta Konstandinë të humbur janë pjesa më e vrarë e ndërgjegjes sonë shoqërore përballë së kaluarës. Heshtja që rrethon kujtimin e atyre që nuk kanë një varr ku të prehen e të kujtohen, është e trishtë. Ajo ka një pafuqi të njerëzishme, të cilën nuk mund ta shpërfillësh. Në legjendat shqiptare, ndër më të njohurat është ajo e Konstandinit. Ajo flet për djalin më të vogël që iu betua nënës së tij se do ta sillte motrën, gjallë apo vdekur, nga një martesë e largët, sa herë ta kërkonte. Djemtë u vranë të gjithë në luftë. Nëna shkoi dhe i kërkoi në varr atje ku prehej Konstandini, të zbatonte… betimin. Legjenda thotë se ai u çua ashtu i vdekur dhe plotësoi betimin e dhënë duke sjellë të motrën nëpër natë, siç kishte premtuar. Konstandinët shqiptarë pa varr janë një motërzim real i një shoqërie si e jona, që nuk di si të sillet me kujtesën e së kaluarës së vet komuniste. Pas viteve 90 ka pasur, veç traumës së tranzicionit, edhe një proces që haptazi mund të quhet fshehje e së kaluarës. Bashkëfajtorët dhe bashkëvuajtësit u bënë morali dhe imoraliteti i kohës. Ajo që ndodhi ironikisht në raportet e shoqërisë shqiptare me të kaluarën komuniste ngjasoi me fshehjen e varreve gjatë periudhës së komunizmit… Sa janë Konstandinët shqiptarë? Në një peticion që Profesor Sami Repishti dhe një grup intelektualësh i dërguan pak vite më parë Presidentit Moisiu, shkruhet se në Shqipëri, gjatë më se 45 vjetëve, u vranë si armiq të popullit 5577 burra dhe 450 gra, u burgosën 26 768 qytetarë të pafajshëm, vdiqën 998 burra e gra në burgje, u çmendën 308 burra e gra nga torturat e presioni dhe u internuan mbi 32 000 qytetarë, shumica e tyre fëmijë. Shtatë mijë e dy njerëz vdiqën në kampet e punës. Këtu nuk llogariten ata guximtarë që humbën jetën për të kërkuar lirinë duke kaluar kufirin e Shqipërisë, thotë peticioni, midis të tjerash. Njëqindvjetori i shtetit shqiptar do të ishte një rast i mirë reflektimi ndaj Konstandinëve të Shqipërisë me kujtimin serioz të tyre në një MUR RESPEKTI si hap i parë dhe si detyrim historik ndaj së vërtetës sonë të përbashkët. Kjo do ti shërbente edhe rindërtimit moral të shoqërisë shqiptare. Nuk besoj se jam i vetmi që ndihet keq nga niveli me të cilin diskuton qeveria aktuale për përkujtimin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Mbledhja fundit e Komitetit Shtetëror i ngritur për këtë qëllim ishte një lëngatë e paqartësisë qeveritare për të këtë situatë ku ndodhemi. Aty u fol për Perandorin Konstandin dhe prejardhjen ilire të tij, e cila i bën me nder shqiptarët. Në këtë mbledhje u fol për projektin e mauzoleut të Nënës Mbretëreshë (!), bustin e Mbretit Ahmet Zogu dhe spotin për 100-vjetorin e shtetit shqiptar. Të tjerat ishin akte administrative të një krize të pashpallur me veten dhe historinë kombëtare. Për Konstandinët e humbur nuk flitet thuajse fare, si të ishte diçka brenda normalitetit dhe gjetja e të cilëve është çështje e një akti administrativ. Dhe kaq! Të ndihesh padron i historisë së kombit tënd nuk është një profesion i ri për pushtetarët e Shqipërisë. Ajo fsheh një moskuptim të vjetër dhe ankthin e tyre përballë saj. Kjo lodër e preferuar me historinë ka sjellë edhe efekte anësore të padëshirueshme, siç është edhe sot, trajtimi i figurës së Mbretit Zogu i Parë. Ahmet Zogu ka vendin e tij të panegociueshëm në historinë shtetformuese të Shqipërisë. Por ai dhe figura e tij po përdoren për kredon e një të djathte qeveritare, e cila vetëm emrin ka të tillë. Pa të drejtë, Ahmet Zogu është vënë në qendër të një debati për mbivlerësimin qeveritar të tij në këtë 100- vjetor të shtetit shqiptar. Koha që jetojmë është vazhdim i asaj që është jetuar më parë. Prejardhja ilire e Perandorit e Konstandin e nderon historinë e shqiptare po aq sa ajo e Papa Klementit XI, Muhamed Aliut të Egjiptit, Duracos të Panteonit të Francës, Ali Pashë Tepelenës dhe Marko Bocarit, një vargu vezirësh që qeverisën Perandorinë Osmane, arkitektëve dhe dijetarëve shqiptarë në Perëndim dhe Lindje. Historia e shqiptarëve është një ajsberg. Rizbulimi i vetvetes nuk mund të jetë argument për mënyrën si do ti kujtojë historia jonë zyrtare Konstandinët e periudhës së komunizmit. Ata, duam apo nuk duam, do të jenë përfaqësimi i errësirës, padrejtësisë dhe mohimit të krimit. Me heshtjen për ta, në këtë 100-vjetor, vazhdojmë tu mësojmë shqiptarëve më të rinj vesin e moçalit që refuzon ta njohë veten dhe historinë mbi të cilën qëndron. I kam përbuzur me zemër ata që në fillimin e viteve 90 thyenin dhe dhunonin varret e dëshmorëve të kombit. Këta të fundit ishin Konstandinët e mi. Kështu i quajta kur eurosocialistët e rinj dhe veteranët e LANÇ-it arritën së bashku të organizonin festimin e parë të 5 Majit të pas viteve 90. Koha kalon dhe bindja ime sot është se nuk mund ti kërkosh një pale të respektojë varret e tua nëse nuk pranon respektin ndaj varreve të tyre. Ka ardhur koha që kjo të ndodhë në Shqipëri. Nëse pasardhësit do të na pyesin më pas se si ndodhi kjo histori e gjakosur, do tu përgjigjemi thjesht, pa britma tifozësh, por edhe kokulje, se historia është sjellë me ne ashtu si ne jemi sjellë me të. Do tu shpjegojmë se Shqipëria ka qenë territor luanësh. Shqiptarët vriteshin për të, edhe me njëri-tjetrin. Muri i Konstandinëve do të ishte një simbol historik në këtë 100-vjetor të shtetit si fundi i kulturës së kokëngrënies me njëri-tjetrin dhe i paqes me historinë e përbashkët. Ky është një optimizëm i tepruar në realitetin ku jetojmë në Shqipëri. Është njëlloj si të ribësh pyetjen e legjendës, nëse vërtet motrën e solli nga larg vëllai i vdekur, Konstandini, apo betimi i tij i pavdekshëm (?)… Pa dyshim!