Uashington, 12 të vrarë në Kantierin e Marinës
Policia tha se të paktën 12 persona mbetën të vrarë të qëlluar me armë zjarri në Kantierin e Marinës pranë Uashingtonit, duke përfshirë edhe një person të armatosur. Policia tha se autoritetet janë në kërkim të dy personave të tjerë të dyshuar, por nuk mund të konfirmonte nëse ata ishin mes autorëve të incidentit.
Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje që ka tronditur kryeqytetin amerikan.
Policia reagoi menjëherë pas të shtënave në orën 8:20 sipas kohës lokale, duke mbyllur rrugët pranë vendit të ngjarjes. Aeroporti Kombëtar Ronald Reagan që ndodhet shumë pranë pezulloi fluturimet dhe pastaj u rihap.
Kantieri i Marinës i Uashingtonit, është objekti më i vjetër ushtarak i vendit dhe aty kanë qendrën disa komanda të sistemeve të marinës. Incidenti i sotëm ka ndodhur brenda njërës prej këtyre komandave.
Në këtë qendër të madhe ushtarake punojnë rreth 16 mijë njerëz, si civilë ashtu edhe ushtarakë. Vetëm komanda e Sistemeve Detare të Marinës, ku ndodhi incidenti, ka 3 mijë punonjës.
Kjo është komanda më e madhe ndër pesë sisteme të tilla që ka vendi dhe merret me projektimin dhe ndërtimin e anijeve ushtarake, armatimeve të anijeve dhe sistemeve komanduese të marinës.