E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uashington, Shqipëria e Kroacia zyrtarisht në NATO

 

Aristir Lumezi

Shqipëria dhe Kroacia janë që dje zyrtarisht anëtarë me të drejta të plota në NATO. Zëvendës Sekretari Steinberg pranoi dje në Departamentin e Shtetit në Uashington DC instrumentet e aderimit në Traktatin e Atlantikut të Veriut për Shqipërinë dhe Kroacinë, për të cilat ShBA është qeveria përgjegjëse për marrjen në dorëzim. Instrumentet e aderimit u paraqitën nga ambasadori shqiptar Aleksandër Sallabanda dhe ambasadorja kroate Kolinda Grabar-Kitarovic, të cilët përfaqësuan vendet e tyre në këtë ceremoni. Në Samitin e 60 Vjetorit më NATO-s të 3 dhe 4 prillit, Kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe Kryeministri kroat Ivo Sanader do të zënë vend për herë të parë, duke përfaqësuar vendet e tyre si anëtare të Aleancës. Dje Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, uroi Kryeministrin Berisha për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë bëri të ditur se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, i telefonoi dje në orën 16:00 Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe i përcolli urimet më të përzemërta për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, këtë ditë të madhe për kombin shqiptar, si dhe i shprehu kënaqësinë e tij për takimin që do të ketë me të në Samitin e Strasburg-Kehlit, si dhe në takimin e 7 prillit në Bruksel. Kryeministri Berisha i shprehu Sekretarit Scheffer mirënjohjen më të thellë për stafin e tij dhe vendet anëtare të NATO-s. “Me mbështetjen dhe kontributin tuaj, ju u bëtë pjesë e një akti nga më madhorët në historinë e kombit shqiptar pas shpalljes së pavarësisë, për të cilën shqiptarët do t’u jenë përjetë mirënjohës”, u shpreh Kryeministri Berisha. Pak orë pasi Shqipëria dorëzoi zyrtarisht instrumentin e ratifikimit të Aderimit në NATO pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, Kryeministri Berisha përmes një konference për shtyp shprehu mirënjohje të veçantë për ish- Presidentin e SHBA-së, George Bush dhe Presidentin Obama dhe qeverinë e tij, pa mbështetjen e të cilëve ky proces do të ishte i pamundur. Kreu i Qeverisë shprehu vlerësimin për të gjithë shqiptarët, dhe veçanërisht për ata burra dhe gra, ekspertë dhe politikanë që kontribuan në reformat e mëdha. “Ishin reformat ato që bënë të mundur këtë proces dhe në veçanti reformat e këtyre 4 viteve të fundit, që shndërruan Shqipërinë në një vend anëtar të NATO-s”, tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›