E Shtunë, 31 Tetor 2026

G20, tërbohen protestuesit, mijëra sulme kundër bankave

 

Londra u kthye në ‘shesh beteje’ gjatë ditës së djeshme, një ditë para nisjes së takimit të liderëve të 20 vendeve më të industrializuara të botës. Protestuesit kundër këtij takimi kanë hyrë në bankat e Londrës me synimin për t’i shkatërruar ato. Ata sulmuan ndërtesën e “Royal Bank of Scotland” (Banka Mbretërore e Skocisë) dhe hynë në zonën financiare të Londrës pas përleshjeve me policinë në Bankën e Anglisë. Protestuesit kanë goditur policinë me bojë dhe vezë. Tërbimi i tyre u arrit të mbahej nën kontroll vetëm pas ndërhyrjes së forcave speciale të rendit. Sipas policisë në qendrën financiare ishin rreth 4 000 demonstrues. Deri tani autoritete konfirmojnë arrestimin e 23 personave. Qindra të tjerë që protestojnë kundër luftës ishin mbledhur jashtë ambasadës amerikane në Londrën qendrore për të marshuar drejt sheshit “Trafalgar”. Autoritete britanike janë përpjekur të ofrojnë maksimumin sigurisë gjatë samitit. Në detyrë për ditën e sotme janë të paktën dy mijë e pesëqind oficerë policie ekstra, të thirrur për një operacion që vlerësohet se kushton më shumë se 10 milionë dollarë. Punonjësit e sektorit financiar nuk janë paraqitur me veshjet zyrtare si zakonisht në punë, por kanë shkuar të veshur me veshje të zakonshme, pasi bankat dhe institucionet e tjera i paralajmëruan ata se mund të ishin objekt i protestuesve. Policia londineze duhet të mbrojë më shumë se 50 delegacione të nivelit të lartë. Edhe gjatë ditës së sotme priten protesta të forta. Protestat filluan këtë mëngjes, si një grup që e quan veten ‘Shkrirja e G20" me moton “katër kuajt e Apokalipsit” që janë “Kalë i argjendtë, kundër krimeve financiare”, grupi kundër të cilit u mblodh në Stacionin Ura, “Kali i zi, kundër mbylljeve të kufijve të tokës”, në rrugën “Loom”, “Kali i gjelbër, kundër ndryshimeve klimatike” në rrugën “Liverpool” dhe “Kali i kuq, kundër luftës”, me marshin e protestuesve të nisur në Stacionin “Moorgate”.

Obama, thirrje për veprim global

Presidenti Barak Obama shprehu besimin se takimi i G-20, me gjithë vështirësitë që në fillimet e tij dhe mosmarrëveshjet mes vendeve në këtë kohë të vështirë për të gjithë, do të reflektojë konsensus të gjerë mbi nevojën për të zgjidhur krizën ekonomike botërore. Gjatë takimit të djeshëm me kryeministrin britanik, Gordon Braun, u komunikua se bisedimeve ekonomike e financiare në Londër ata presin negociata të forta në samit. Obama tha se jo të gjitha problemet do të zgjidheshin, por ai shtoi se ndryshimet midis pjesëmarrësve ishin theksuar më shumë se ç’duhet. Ndërkohë kryeministri Braun tha se ai mendonte se udhëheqësit ishin vetëm disa orë larg arritjes së planit ekonomik për rigjallërim të ekonomisë botërore dhe reformës. Franca më herët tha se do të largohej pa nënshkruar marrëveshjen, nëse nuk plotësoheshin kërkesat e saj mbi rregullat e forta financiare. Po ashtu u shpreh edhe kancelarja gjermane Anxhela Merkel, mbi shpenzimet e tjera globale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›