E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, marrëveshje BDI - VMRO-DPMNE

 

Partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka rënë dakord të mbështesë kandidatin e VMRO-DPMNE në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të 5 prillit. Të dyja partitë do të mbështesin njëra-tjetrën edhe në zgjedhjet lokale. BDI është partnere në koalicionin qeverisës në Maqedoni, ku drejton partia e Gruevskit, VMRO-DPMNE. Marrëveshja mes tyre u bë publike dje. Sipas saj, partia shqiptare do të mbështesë kandidatin për president të VMRO-së, Gjorge Ivanov, duke i siguruar atij shumicën e duhur për t’u zgjedhur lider i vendit në raundin e dytë të garës presidenciale me kandidatin e Unionit socialdemokrat, i cili u rendit i dyti në votimin e 22 marsit, por shpresonte shumë në votat e shqiptarëve për të marrë presidencën. Marrëveshja u bë mes udhëheqësve të dyja forcave politike, Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti dhe u arrit vetëm dy ditë para se të përfundojë fushata. Në marrëveshje thuhet se VMRO-DPMNE do të mbështesë kandidatët e BDI-së në Tetovë dhe Gostivar, por jo në Strugë dhe në komunat tjera, ku kandidatët e kësaj partie janë në balotazh me kandidatë të partive të tjera politike shqiptare. Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim do të mbështesë kandidatët e VMRO-DPMNE-së në komunat ku nuk ka kandidatë shqiptarë, por ka votues shqiptarë. Në njoftimin e tyre thuhet se marrëveshja e arritur mes dy subjekteve politike është edhe rezultat i përvojës pozitive të deritashme të koalicionit mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, si në pushtetin ekzekutiv, ashtu edhe në Parlament. Deri tani votat e shqiptarëve kanë qenë ato që kanë vendosur për zgjedhjen e presidentit në Maqedoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›