E Diel, 1 Nëntor 2026

Udha e Oborrit dhe Autostrada e KombitNga Blerim Shala, ExpressFjala devijim i rri më së miri kësaj Qeverie që e ka humbur udhën në oborr, e që synon ta bëjë Kosovën me autostradë kombëtare dhe ndërkombëtare Fjala e Javës së shkuar? Gjithsesi:

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Udha e Oborrit dhe Autostrada e KombitNga Blerim Shala, ExpressFjala devijim i rri më së miri kësaj Qeverie që e ka humbur udhën në oborr, e që synon ta bëjë Kosovën me autostradë kombëtare dhe ndërkombëtare

Fjala e Javës së shkuar? Gjithsesi: Devijimi.
Qeveria e Kosovës ka vendosur ta devijojë, apo, ta ndryshojë trasenë e autostradës kahmoti të përmendur, disa herë të nisur e të inauguruar madje, në ëndrrat dhe planet e zyrtarëve të vendit. Sipas lajmeve të fundit që na u dhanë, e që vetë prej veti tregojnë se në çfarë vendi po jetojmë, ndërtimi i Rrugës së Kombit (siç po pagëzohet tashmë Autostrada Vërmicë – Merdarë), do të kushtojë diku midis 600-800 milionë Eurove, e sipas disa varianteve, mund të mbërrihet edhe tek 1 miliard Euro, sa pritet të jenë, përafërsisht, të gjitha të hyrat, doganore dhe tatimore të shtetit të Kosovës, gjatë vitit 2010.

Precizitet, qartësi, transparencë, saktësi: Të gjitha këto, të devijuara. Me këtë Qeveri.

Dita kur u bë publik vendimi për fillimin e bisedimeve të cilat do të duhej të konkludoheshin me një Kontratë për ndërtimin e Autostradës, ishte njëmend përplot ngjarje dhe lajme interesante.

Kosovari mesatar, kështu, pati problem të madh të marrë vesh se ku po jeton, apo, cili është realiteti i tij, dhe i vendit të tij. Kështu, ai u njoftua për Planet e Qeverisë së Kosovës që Autostrada e Kombit të kushtojë qindra miliona Euro. Që “Kosova e Re”, gjegjësisht Termoelektrana e Kombit, apo, ndërtimi i kapaciteteve të reja të prodhimit të rrymës, po ashtu kërkon nja 500-700 milionë Euro, në këtë fazën e parë, për sigurimin e 500 MW energji, ndërsa në tërësi, “Kosova e Re” do të kushtojë mbi 1 miliard Euro. Që për shkak të mungesës së mazutit (lexo: mungesës së Eurove), nuk ka ngrohje të mjaftueshme në kryeqytet, dhe që edhe foshnjat e porsalindura në Qendrën Kombëtare Spitalore, po mërdhinë. Që ata që nuk kanë të ftohtë, kanë frikë sa të duash për shkak të maceve dhe minjve që janë “strehuar” në hapësirën e QKUK.

Përplaseshin kështu, brenda një dite të vetme, ose brenda gjysmë ore lajmesh televizive, deklaratat plotë optimizëm dhe shpresë të zyrtarëve të Kosovës, me ato plotë pezëm dhe dëshpërim të njerëzve të rëndomtë, që u gjetën në QKUK.

Një shpërputhje e këtillë, një devijim i këtyre përmasave midis qëndrimeve dhe politikave të autoriteteve institucionale të vendit dhe realitetit kosovar, hetohet në çdo fushë, në secilin segment të shoqërisë kosovare.

Flitet, në njërën anë, për zhvillim dhe rritje të madhe ekonomike, e në anën tjetër, rrogat mesatare të Kosovës janë ta zëmë, qind për qind më të ulëta sesa ato në Bosnjë dhe Hercegovinë, numri i të papunëve dhe të atyre që jetojnë në varfëri të skajshme, sa vjen e shtohet, investimet prej jashtë kanë rënie të vazhdueshme, dhe me buxhetin e sotëm të Kosovës, nuk ka gjasa të garantohet një qëndrueshmëri dhe një paqe sociale.

Flitet, në njërën anë, për një përparim të shkëlqyeshëm (vlerësim i Kryeministrit të Kosovës), në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, e në anën tjetër, edhe miqtë tonë të mëdhenj perëndimorë, nuk shohin mundësi që Kosova, së paku në vitin 2020 (në mos më herët), të jetë pjesë përbërëse e familjes së madhe evropiane, e cila në ndërkohë pritet të shtohet me të gjitha shtetet e tjera të kësaj pjese të Ballkanit.

Flitet, në njërën anë, që shteti i Kosovës i ka të gjitha strukturat dhe mekanizmat e duhura në segmentin e sigurisë, e në anën tjetër, as trajtimi i një teme shumë të rëndësishme, çfarë është “Strategjia për Veriun e Kosovës” (të përgatitur prej Zyrës Civile Ndërkombëtare, në vend se kjo të bëhet prej Qeverisë së Kosovës), nuk shtyu zyrtarët e Kosovës që të thërrasin një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, apo, që të bëhet një analizë më e detajuar, ku do të shqyrtoheshin edhe vlerësimet e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI-së), dhe të Policisë së Kosovës, për gjendjen në veri të vendit.

Natyrisht, këto vlerësime pastaj do të ndaheshin me deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Flitet pastaj, nga ana e prijësve të Qeverisë së Kosovës, që kjo Qeveri është njëra prej më stabileve në rajon, e në të njëjtën kohë, ditë e natë marrim lajme për rikompozimin, rikonfigurimin, riformatizimin e Qeverisë, proces ky që duket se është në një qorrsokak, për shkak të mungesës së bashkëpunimit të mirëfilltë midis dy partnerëve në koalicion, PDK-së së Kryeministrit Thaçi dhe LDK-së së Kryetarit Sejdiu.

Nuk mund të ketë stabilitet të Qeverisë me gjithë këto rrëfime për ndërrimet që do të pasojnë në ekzekutivin e vendit.

Përvoja aspak e mirë politike e vitit 2009 për Kosovën, duket që nuk ka lënë fare gjurmë në mënyrën e mendimit dhe të funksionimit të zyrtarëve të Kosovës, veçmas të Qeverisë së Kosovës.

Në fakt, nëse kthehemi prapa, në rrjedhat politike të vendit në dy vitet e mbrama, do të kuptojmë që thuaja të gjitha këto tema të cilat kanë zënë qendrën e preokupimeve të Qeverisë së Kosovës, në nismë të këtij viti, janë trajtuar prej Qeverisë së Kryeministrit Thaçi, që prej janarit të vitit 2008, pa dhënë kurrfarë rezultati, me gjithë premtimet e shumta dhe përkundër vlerësimeve të pabaza politike dhe ekonomike për veriun e Kosovës dhe për projektet madhore të zhvillimit ekonomik.

Kësaj Qeverie, siç po kuptohet gjithnjë e më shumë, i ka humbur udha në oborr, ndërsa ajo synon ta bëjë Kosovën me autostradë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›