E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëheqësit e Kosovës marrin pjesë në darkën vjetore të KKSHA

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka nisur sesionin e saj të rregullt të 67-të të martën, ndërkaq sot në rend dite do të jetë miratimi i agjendës, zgjedhja e disa krerëve të Komiteteve kryesore të punës dhe e zëvendës-kryesuesit të sesionit të Asamblesë. Kryesues me mandat njëvjeçar është ish-ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq.

Udhëheqësit e Kosovës nuk do të marrin pjesë këtë javë në takimet e Asamblesë e as gjatë debatit të përgjithshëm javën e ardhshme, një ‘privilegj’ ky i rezervuar vetëm për vendet anëtare.

Në Asamblenë e Përgjithshme, debati i përgjithshëm do të hapet të martën më 25 shtator me pjesëmarrje të afro dyqind delegacioneve të vendeve anëtare të kryesuara nga presidentë, monarkë, kryeministra e ministra të jashtëm, të cilët me fjalime dhe deklarata do të prezantojnë qëndrimet e tyre mbi çështje të brendshme dhe të jashtme, për ekonominë, sigurinë, parandalimin e konflikteve rajonale dhe çështje të tjera globale.

Kosova, ndonëse pa të drejt pjesëmarrje në debat, do të jetë e pranishme në margjinat e Kombeve të Bashkuara dhe më një përfaqësim më të numërt se çdoherë më parë do të bëjë përpjekje të afirmojë më tej subjektivitetin ndërkombëtar të vendit me synim përfundimtar anëtarësimin në organizatën botërore.

Arsyeja e ardhjes së tyre tre-katër ditë para fillimit të debatit të përgjithshëm është pjesëmarrja e sotme në darkën vjetore që organizon Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, ku u konfirmua pjesëmarrja nga Kosova e presidentes, Atifete Jahjaga, kryeministrit, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministrave, Behgjet Pacolli dhe Mimoza Kusari-Lila, ministrave, Enver Hoxhaj, Vlora Çitaku, Ibrahim Makolli e Fehmi Mujota, si dhe deputetit Adem Grabovci.

Në darkë vjen edhe presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani si dhe përfaqësues shqiptar në pushtetin e Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Përfaqësimi zyrtarë amerikanë në këtë darkë vjetore gjithëshqiptare do të jetë mjaft i zbehtë, do të marrin pjesë dy kongresistë, ambasadorja, Rosemary di Carlo, ish ambasadori Frank Wisner dhe zëvendësndihmësekretari i Shtetit, Philip Reeker.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›