E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qejf për koalicionin

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës me qejf po komentohet ideja për koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Kryesia e AAK’së u mblodh të enjten, por nuk mori ndonjë vendim. Zyrtarët e kësaj partie opozitare thonë se po presin vendimin e Tribunalit për Ramush Haradinajn, derisa po kursehen edhe nga kritikat më të vogla për Qeverinë Thaçi.

Zyrtarët e Partisë së Ramush Haradinajt me qejf po e vazhdojnë debatin për temën e koalicionit PDK-AAK.

Sikurse herëve të tjera, edhe të enjten në AAK nuk kanë mohuar se do të hyjnë në Qeveri bashke me Partinë Demokratike, por zyrtarët në këtë subjekt thonë se janë duke pritur vendimin e Tribunalit të Hagës në lidhje me akuzat që rëndojnë mbi liderin e partisë, Ramush Haradinaj.

“Ka qenë në debat dhe në diskurs publik çështja e koalicionit, sidomos në trajtimin e mediave, por në Aleancë nuk ka një qëndrim tjetër”, ka thënë Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së AAK’së.

Ai ka përsëritur disa herë se Kryesia e partisë nuk është mbledhur për të diskutuar çështjen e koalicionit.

Por, ka thënë se AAK është e gatshme të merr përgjegjësi shtetërore.

“AAK është e gatshme të merr përgjegjësi për vendin. Ne si Aleancë jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi për çështje nacionale. Në këto rrethana jemi në pritje të Kryetarit Haradinaj dhe me besim dhe me shpresë se ky vendim do të merret shumë shpejt”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se askush në AAK nuk ka marrë mandat për të biseduar me PDK’në për çështjen e koalicionit.

“Zyrtarisht askush nga AAK nuk ka mandat për të trajtuar temën e koalicionit. Nuk ka asnjë kontakt zyrtar sa i përket trajtimit të kësaj teme. A takohen deputetët në hollin e Kuvendit, mirëpo askush nga ne nuk ka një mandat nga strukturat, nga Këshilli Drejtues dhe Kryesia për të marrë një politikë të tillë”, ka thënë ai

Kohë më parë, udhëheqësi aktual i AAK’së, Blerim Shala është shprehur pro koalicionit me PDK’në me kusht që në krye të Qeverisë të vjen Ramush Haradinaj.

Edhe zyrtarë të tjerë që vazhdimisht kanë qenë kundër koalicionit me PDK, kanë dalë pro nëse vijnë në pushtet dhe udhëheqin Qeverinë. Në mesin e tyre, Ardian Gjini, Melihate Tërmkolli, Pal Lekaj e Rasim Selmanaj.

Përgjigja e PDK’së ndaj kushteve të AAK’së ka qenë negative, kurse pozitive për dëshirën e tyre për të hyrë në Qeveri.

Por, të enjten, Besnik Tahiri ka thënë se tema e koalicionit nuk mund të diskutohet pa përfunduar procesi gjyqësor ndaj Haradinajt.

“Si kryesi nuk e kemi parë të arsyeshme për shkak se as nuk është momenti, as nuk është koha dhe mbi të gjitha si Aleancë jemi në pritje të vendimit për Kryetarin tonë.

Është takim i rregullt që mbahet me strukturat dhe udhëheqësit e AAK’së. U trajtuan tema që ndërlidhen kryesisht me zhvillimet politike në vend, por edhe çështje tjera të organizimit të partisë”, ka thënë ai.

Ky zyrtar i AAK’së nuk ka folur asnjë fjalë të keqe për PDK’së, ndërsa ka kritikuar konceptin qeverisës.

I pyetur se a kanë ndryshuar vlerësimet e AAK për PDK’në dhe Qeverinë, Tahiri ka dhënë përgjigje të përgjithësuar.

“Ne jemi të bindur se Kosova ka një problem serioz sa i përket Qeverisjes dhe konceptit qeverisës. Ne mendojmë se Kosova është dëmtuar në shumë procese. Është me rëndësi që Kosova të jetë e fortë karshi cdo agjende që i vjen Kosovës”, ka thënë ai.

Përveç për koalicion, AAK ka filluar të mendoj sikur PDK’ja edhe për çështjen e reformave zgjedhore.

Besnik Tahiri ka thënë se Aleanca do ta përkrah reformën zgjedhore edhe në Kuvend.

“Reformimi i këtij procesi duhet të ndodh. Mund të konfirmoj se AAK do të jap kontributin e vet edhe në Komision, edhe në Parlament që të shtyjë reformën zgjedhore si një nevojë shumë e madhe për zhvillimin e vendit”, ka thënë ai.

Bashkëpunimi mes AAK’së dhe PDK’së ka qenë i vështirë qysh prej vitit 2004, kur Ramush Haradinaj formoi qeveri së bashku me Ibrahim Rugovën. Prej atëherë, akuzat mes zyrtarëve të të dyja partive kanë qenë të intensive.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›