Nuk largohet nga Qeveria
Behgjet Pacollit nuk ia ka lënë shenjë afera e Hotel Grandit. Ai nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje nga pozita e Zëvendëskryeministrit të Parë. Për aferën me të cilën është duke u marrë policia dhe prokuroria, lideri i AKR’së është mjaftuar vetëm me një sqarim, të cilin e ka publikuar në Facebook.
Ditë më parë në media është publikuar një deklaratë e Pacollit, ku ky i fundit ka thënë se Astrit Haraqija nga “Lista Ibrahim Rugova” ia ka kërkuar 3.6 milionë euro për t’i ndihmuar rreth pronësisë së hotelit Grand.
Rreth tërë kësaj, prokuroria tashmë ka nisur hetime, derisa Pacolli mund të përballet me drejtësinë edhe për faktin që nuk e ka denoncuar Haraqinë me kohë.
Por, të enjten Pacolli nuk ka folur me emra për ata që i ka akuzuar për haraç në lidhje me Grandin.
Aty është munduar të shfajësojë vetën dhe të tregojë versionin për Grandin, Zylqyf Berishën dhe bashkëasionarin tjetër, Remzi Ejupi.
Sipas tij, blerësi i Grandit kishte lidhur marrëveshje për t’i shpërndarë aksionet te MABETEX’i dhe Remzi Ejupi, por që me vonë ishte tërhequr.
“Ai nuk liroi hotelin, nuk kërkoi nga AKP-ja që të bëhet regjistrimi i aksioneve, e madje i shmangej çdo takimi. Kjo situatë zgjati mbi 5 muaj”, ka treguar Pacolli.
Ai pastaj ka dalë te momenti kur kishte shkuar Astrit Haraqija e Ukë Rugova në shtëpinë e tij në gjysmë të natës.
“Në fund të prillit, siç kam deklaruar, me kërkesën e personit për të cilin keni dëgjuar, kam pasur një vizitë në shtëpinë time dhe është bërë kërkesa për të cilën ju keni lexuar dhe dëgjuar. Rrethanat nën të cilat është bërë ajo kërkesë( të cilat kategorikisht i kam refuzuar) më kanë shtyrë të dyshoj se mund të ketë prapavija, që do të dilnin jashtë temës ekonomike”, ka sqaruar ai.
“Çdo spekulim i medieve dhe i njerëzve të caktuar se ky akt nuk është denoncuar nuk qëndron dhe miqtë dhe dashamirësit e mi mund të ndihen shumë komodë në këtë”, ka thënë ai.
Ai është marrë edhe me vlerësimet për punën e gazetarëve, duke thënë se ka pasur lajme dekonstruktive.
Pa përmendur emra, Pacolli ka thënë se disa media kanë kërkuar kokën e tij. Zëvendëskryeministri i Parë është munduar ta sqarojë çështjen e Grandit me një barsoletë, ku janë të përfshirë lopa dhe hajni. Në këtë mesele, Pacolli e ka parë vetën viktimë.
“Për fund po e ilustroj me një ndodhi. Një fshatari i kishte humbur lopa dhe miqtë e tij shkonin për ngushëllime. Secili që shkonte aty, e fajësonte atë dhe i thoshte: Pse nuk e ruaje lopën, pse nuk e lidhe. Dikush thoshte pse nuk e lëshove qenin që ta ruante, pra të gjithë e fajësonin atë. Krejt në fund i zoti i lopës i pyeti ata: A thua unë jam fajtori, apo ai që e vodhi atë”.