”Udhëtim dimri“ sjell aktoren Ema Ndoja në Tiranë
“Udhëtim dimri” është një cikël prej 24 këngësh nga poeti gjerman Wilhelm Müller, të botuara në vitet 1823-1824. Këngët që shkroi Franz Schuberti mbi to më 1827, një vit para se të vdiste, i dhanë “Udhëtimit të dimrit” një rëndësi e përhapje që mban gjer më sot, duke e kthyer atë në një si manifest e himn të romantizmit. 24 këngët e poetit Müller (1794-1827) dhe të kompozitorit Schubert (1797-1828), të cilët nuk u takuan asnjëherë, vijnë për herë të parë si tekste në shqip dhe si krijime të kompozitorit të madh austriak, në Teatrin e Operas dhe Baletit. Këngët do të interpretohen nga sopranoja Vikena Kamenica, në piano luan Merita Tërshana-Rexha. Poezitë janë shqipëruar nga Ardian Klosi dhe do të paraqiten shqip-gjermanisht ditën e shfaqjes, më 30 janar 2011, si botim më vete. Aktorja Ema Ndoja, e cila jeton në Berlin, pas një mungese 20-vjeçare nga skenat e ekranet shqiptare, do të interpretojë në këtë mbrëmje disa nga poezitë e ciklit “Udhëtim dimri“.