Të vërtetat Getos rrëfehen në Tiranë
“A Film unfinished”, dokumentari i regjisorit izraelit Yael Heresonksi, që u shfaq premierë botërore më 25 janar të vitit 2010, zbulon për herë të parë paskuintat e dokumentarëve propagandistikë të nazizmit, xhiruar në Geton e Varshavës pak muaj para “eliminimit” masiv të hebrejve mes korrikut dhe shtatorit të vitit 1942. Dokumentari që u shpall fitues “Sundance Film Festival” është shfaqur mbrëmë për herë të parë edhe për publikun shqiptar. Me rastin e ditës “Kujtesë të Holokaustit”, Ambasada e Izraelit në Shqipëri, Oborri Mbretëror i Shqipërisë, Shoqata e miqësisë Izrael-Shqipëri dhe Akademia e Filmit & Multimedias “Marubi”, shfaqën filmin dokumentar "A film unfinished" i regjisorit Yael Hersonski, prodhim i vitit 2010. Në 87 minuta regjisori ishte përpjekur që përmes imazheve origjinale të arkivave nazistë të zbulonte prapaskenat e një skenari për “jetën e bukur” në Geto, që nazistët e propagandonin duke dashur të mbulojnë tmerrin që ata kishin planifikuar të ndodhte pak muaj më vonë në burgjet naziste: eliminimin e një populli. “Ajo që ndodhi nga korriku deri në shtator të vitit 1942 është një nga misteret më të mëdha që ka mbetur dhe sot e pazbardhur nga arkivat nazistë”- rrëfente në një intervistë para shfaqjes premierë të këtij filmi, në janar të vitit 2010, regjisori izraelit, gjyshja e të cilit ishte një ndër ato pak hebrej që i shpëtuan Geto-s në Varshavë. “Shumë pak njerëz e dinë që këto imazhe janë propagandistike dhe aspak të tipit dokumentar. Nazistët zgjodhën vetë imazhet që duhej të shfaqeshin, duke manipuluar veprimet, si për shembull detyronin protagonistët që të injoronin personat që po vdisnin pranë tyre në rrugë”. Kur në ekran shfaqen hebrej të veshur mirë, por me fytyra të zverdhura; apo gra që praktikojnë rituale hebraike, regjisori të sjell ndërmend faktin se pas këtyre imazheve duhet të imagjinojmë ushtarët nazistë që qëndrojnë pas kamerave me armët që kanë shenjuar ata të gjorë që, pas atyre xhirimeve, s’do mend që i kanë zhdukur, për të mos lënë pas dëshmitarë okularë. Kur Berlini u bombardua, 90% e dokumentacionit nazist u shkatërrua bashkë me qytetin dhe vetëm me 10%-shin e mbetur historianët janë përpjekur të rindërtojnë atë çfarë ka ndodhur në atë periudhë. Por është e nevojshme të kuptojmë diçka. Ato imazhe propagandistike janë filtruar përmes syrit të një trupe naziste. E në fakt, një spektatori të vëmendshëm nuk i shpëton ajo që nazistët nuk arritën ta kontrollonin: Shprehjen e tmerruar në sytë e njerëzve që detyroheshin të ishin protagonistë në atë pantonimë tragjike, nën kërcënimin e armëve të zjarrit. Dhe pikërisht përmes atyre syve të tmerruar, spektatori arrin të shohë realitetin që fshihet pas propagandës naziste. Regjisori Hersonski ka arritur të rindërtojë metodologjinë e përdorur nga nazistët, përmes intervistave me kameramanë nazistë dhe me disa prej të mbijetuarve të Getos, që kanë qenë dëshmitarë të fshehur nëpër skutat e tyre të këtyre filmimeve, por dhe falë dritareve të fshehura nën tokë nga hebrejt që kanë jetuar në Geto, që u zbuluan në fund të luftës nga aleatët.
Paskuintat e xhirimeve naziste
Në fund të Luftës së Dytë Botërore në arkivin e Gjermanisë Lindore u zbuluan disa bobina filmash rreth 60-minutëshe. Në etiketën mbi bobinë ishte shënuar vetëm një adresë: Geto. Materiali i xhiruar nga nazistët në qytetin e Varshavës në maj të vitit 1942 u bë menjëherë një pikë referimi e dokumentacionit historik që rrëfente jetën e hebrejve në Geto. Vetëm më vonë u zbuluan të tjera bobina me filmime, që ishin të papërpunuara në montazh, dhe që tregonin të njëjtin vend, por që përmes tij mund të arrije të kuptoje të vërtetat brenda një filmi të pamontuar. “A Film Unifinished” është një dokumentar që përmbledh gjithë materialin e gjetur nga arkivat nazistë, ashtu siç është, pa u ndërhyrë në të për t’i kthyer këto imazhe në një fiction dokumentari historik. Përmes imazheve origjinale përcillet imazhi i manipuluar i propagandës naziste, që populli hebre jetonte i lumtur në rrethimin e qytetit polak. Regjisori, në fakt, ka marrë përsipër të bëjë një analizë të atij 60-minutëshi të gjetur pas Luftës së Dytë Botërore, që edhe sot konsiderohet prej shumë njerëzve si një nga dokumentimet më autentike të jetës së hebrejve në Geto. Për të treguar të kundërtën, ai ka përdorur informacione që i ka marrë nga letrat e viktimave, gazetat dhe ditarët që i përkasin asaj epoke. E përveç kësaj, regjisori izraelit ka intervistuar edhe kameramanët nazistë që kanë marrë pjesë në realizimin e atij dokumentari, si dhe disa prej të mbijetuarve të Getos, që rrëfejnë të vërtetat që fshiheshin pas atyre imazheve propagandistike. Filmi zgjon interes pikërisht për faktin sesi nazistët krijuan një vepër të pastër propagandistike, që shfaqte jetën në Geto të hebrejve të pasur e të shëndetshëm, të mësuar me luks e privilegje, që ishin krejt të pandjeshëm ndaj varfërisë dhe lypësve në rrugë. Por ajo që i tradhton është pikërisht fakti se hebrejtë nuk janë filmuar në jetën e tyre te përditshme, por duket qartë se ata janë detyruar të jenë pjesë e një skenografie të ideuar nga nazistët. Janë shumë të dukshme disa imazhe të hebrejve të kequshqyer me vështrimin hetues të fiksuar në kamera apo imazhi i një gruaje të re me një pamje të poshtëruar dhe krejt i dukshëm fakti që ajo është në siklet ndërsa pozon në krah të një lypësi. Teza që regjisori ka për këto imazhe është: kur nuk mbetet asnjë dëshmitar direkt për të rrëfyer eksperiencën e tij, e vetmja gjë që na mbetet është që të hedhim dritë mbi imazhet e errëta të asaj periudhe.