E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëtim pa viza në Bonjë-Hercegovinë, negociata me Serbinë



Duke filluar nga dita e djeshme, qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Bosnjë-Hercegovinës nuk do të duhet të pajisen me viza. Nga data 1 nëntor hyri fuqi marrëveshja midis Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës për përjashtimin reciprok nga detyrimi i vizave për të gjithë shtetasit e të dy vendeve. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ralf Gjoni, deklaroi dje në një konferencë shqyrtimi se “nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje u mundësua më 24 mars 2009, si pjesë e angazhimit të qeverisë shqiptare për zgjerimin e hapësirave të komunikimit me vendet e rajonit dhe krijimin e mundësive për lëvizjen e lirë të shtetasve në këto hapësira”. Kështu referuar kësaj marrëveshjeje qytetarët e të dyja vendeve nuk pajisen me vizë, por mjafton vetëm pasaporta e zakonshme që ata të hyjnë në Bosnje. Afati i qëndrimit nuk duhet t’i kalojë 90 ditët (3 muaj) brenda një afati prej 180 ditësh (6 muaj), sipas standardeve të Bashkimit Evropian. “Shtetasit që për arsye familjare, studimi apo punësimi dëshirojnë të qëndrojnë në territorin e palës tjetër për një periudhë më të gjatë se ajo që i lejon të qëndrojnë pa vizë (90 ditë në 180 ditë), janë të detyruar të respektojnë legjislacionin e shtetit përkatës dhe të pajisen me vizë afatgjatë në përfaqësinë diplomatike/konsullore, ose të kërkojnë lejen e qëndrimit pranë autoriteteve kompetente”, - tha Gjoni. Ai tha më tej se mijë qytetarë shqiptarë vizitojnë Bosnjën për shumë arsye duke filluar nga ato ekonomike dhe shpresohet se më këtë regjim të lirë vizash, udhëtimet do të rriten më shumë mes dy vendeve. Zëdhënësi i Ministrisë tha më tej se po punohet edhe me Serbinë për të pasur një regjim të lirë lëvizjeje për qytetarët e të dyja vendeve. “Me vendet tona fqinje, me Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi, siç e dini, regjimi i vizave është hequr dhe qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë të lirë pa pengesa. Ndërkohë për sa i përket Serbisë, po punohet për fillimin e negociatave midis dy vendeve për të arritur të njëjtat kushte, siç i kemi edhe me vendet që përmenda më lart. Sigurisht që ne jemi të hapur që të fillojmë negociatat shumë shpejt dhe t’i mundësojmë qytetarëve të të dyja vendeve lëvizjen e lirë, ashtu siç jemi të hapur të rrisim bashkëpunimin edhe në fusha të tjera”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›