PD reagon ndaj spekulimit të “Gazetës Shqiptare”
Partia Demokratike reagoi dje në një komunikim zyrtar nëpërmjet zëdhënëses Erla Mëhilli, pas një shkrimi të publikuar në një të përditshme shqiptare. “Me këtë akt "G.SH." vendosi standardin më të ulët e amoral në mediat shqiptare. Dje një e përditshme si motër e “Zërit të Popullit”, "Gazeta Shqiptare", ndërmori për motive politike një sulm të ulët dhe të paprecedentë kundër nënkryetarit të Partisë Demokratike, z. Astrit Patozi dhe zëdhënëses së PD-së, Erla Mëhilli. Me këtë akt të paprecedent, “Gazeta Shqiptare” vendosi standardin më të ulët dhe amoral në mediat shqiptare”, - thuhet në këtë reagim. Më tej, Partia Demokratike denoncon përdorimin e lirisë së medias në Shqipëri. “Partia Demokratike denoncon këtë keqpërdorim të lirisë së medias, por edhe këtë shpifje të paturpshme, duke i kujtuar autores së këtij akti se cilatdo qofshin krizat shpirtërore dhe verbëritë që e kanë shtyrë drejt këtij sulmi, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka nxjerrë lakuriq përpara shqiptarëve veten dhe porositësit e saj me akuzat e ulëta dhe të pabaza që ka ndërmarrë”, - përfundon deklarata zyrtare e Partisë Demokratike.