Udhëzimi: Lokalet e natës, autorizim për volumin e muzikës
Anilejda Shëmbitraku
Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave ka nxjerrë një udhëzim, sipas të cilit lokalet e natës apo dhe të gjitha llojet e tjera që shkaktojnë ndotje akustike në mjediset e banuara duhet që më parë të marrin një autorizim, i cili kushtëzon ushtrimin e këtyre bizneseve.
Udhëzimi
Është miratuar në Fletoren Zyrtare Nr. 174 udhëzimi “Për kriteret dhe procedurat për pajisjen me leje të thjeshtë mjedisore të veprimtarive që lëshojnë zhurma në mjedis”. Ky udhëzim ka si qëllim shmangien, minimizimin dhe kontrollin e efekteve të dëmshme të zhurmës në qetësinë publike dhe mjedis. Veprimtaritë ekonomike që lëshojnë zhurmë do t`i nënshtrohen pajisjes me leje të thjeshtë mjedisore sipas Vendimit të Këshillit të
Ministrave Nr. 538, datë 26.5.2009 “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga/apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL)”), në përputhje me kërkesat e këtij udhëzimi. Veprimtaritë që lëshojnë zhurmë në mjedis dhe që duhet t`i nënshtrohen zbatimit të këtij janë tashmë të përcaktuara.
Dokumentet
Për pajisjen me leje të thjeshtë mjedisore (autorizim mjedisor), subjekti fizik apo juridik që kërkon të ushtrojë veprimtarinë paraqet pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit këto dokumente: ekstraktin e regjistrimit të subjektit pranë QKR-së; përshkrimin e objektit ku do të ushtrohet veprimtaria, shoqëruar me adresën, plan-vendosjen dhe fotografi; projektin teknik ku të jepet informacion për llojin e veprimtarisë që synon të zhvillojë, shoqëruar me planimetrinë e objektit ku do të ushtrohet veprimtaria, të dhëna për burimet e zhurmës si pajisjet/aparaturat e instaluara që lëshojnë zhurmë, si dhe vlerën teknologjike përkatëse të lëshimit të zhurmës, distancën me objektet e tjera dhe pozicionimin e tyre në raport me vendndodhjen e veprimtarisë dhe informacion për kohëzgjatjen e orarit e punës që kërkohet të zbatohet; raport për nivelet e pritshme të zhurmës që do të çlirohen në mjedis nga veprimtaria (matja të bëhet në kapacitet të plotë të teknologjisë së instaluar që çliron zhurmë), hartuar nga Instituti i Shëndetit Publik; faturën e tarifës së shërbimit prej 10 000 lekësh që paguhet për llogari të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave; mendimin e njësisë së qeverisjes vendore ku të shprehet opinioni për zhvillimin e veprimtarisë; një procesverbal ku të tregohet që janë konsultuar dhe është marrë mendimi i banorëve pranë vendit ku do të zhvillohet veprimtaria; një deklaratë të subjektit që do të respektojë oraret e qetësisë publike dhe të lejes së thjeshtë mjedisore.
Procedura
Hapat për marrjen e autorizimit
Drejtoria e Mbrojtjes së Mjedisit, brenda 2 ditëve pas marrjes së dokumentacionit të aplikimit nga QKL-ja, e përcjell atë elektronikisht për shqyrtim pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit
(ARM), në qarkun përkatës. ARM-ja, brenda 3 ditëve nga marrja e informacionit, bën verifikimin e objektit dhe në përfundim harton një relacion për rezultatet e verifikimit. Në përfundim të shqyrtimit, ARM-ja vendos: miratimin e lejes së thjeshtë mjedisore duke i detajuar në të edhe kushtet për mbrojtjen e mjedisit nga zhurmat në përputhje me formatin e Shtojcës II; refuzimin e kërkesës duke dhënë arsyet për këtë vendim; ARM-ja miraton me leje të thjeshtë mjedisore (autorizim mjedisor) vetëm veprimtaritë që sigurojnë zbatimin e normave të lejuara të zhurmës në mjedis dhe garantojnë qetësinë publike në përputhje me aktet ligjore përkatëse. ARM-ja, brenda 5 ditëve nga dita e marrjes së vendimit, sipas pikës 6, përcjell pranë Drejtorisë së Mbrojtjes së Mjedisit aktin e miratimit/refuzimit, e cila e dërgon menjëherë pranë QKL-së. ARM-ja, brenda 5 ditëve nga data e marrjes së vendimit, informon me shkrim njësinë e qeverisjes vendore (NJQV), ku do të ushtrohet veprimtaria, duke i bërë të ditur vendimin e marrë, si dhe kushtet që duhet të zbatojë subjekti për mbrojtjen e mjedisit dhe qetësisë publike nga zhurmat.
AFATI
Marrja e vendimit për autorizim zgjat 8 ditë
Afati kohor, brenda të cilit ARM-ja bën shqyrtimin dhe merr vendim për kërkesën është 8 ditë nga data e marrjes së dokumenteve të aplikimit. Në rast se ARM-të kanë nevojë për asistencë teknike (për zhurmat), konsultohen me Agjencinë e Mjedisit dhe Pyjeve, e cila angazhohet dhe jep kontributin e saj pa vonesë. Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohet Drejtoria e Mbrojtjes së Mjedisit, agjencitë rajonale të mjedisit në qarqe dhe Inspektorati i Mjedisit.
LISTA
Bizneset që duhet të marrin autorizim
1. Lokalet e natës/veprimtaritë e specializuara të argëtimit që gjenden në zonat e banuara ose çlirojnë zhurmë që ndikojnë në qendrat e banuara.
2. Furrat e prodhimit të bukës që gjenden në zonat e banuara ose çlirojnë zhurmë që ndikojnë në mjediset e banuara.
3. Serviset e automjeteve, gomisteritë dhe pikat e larjes së automjeteve që gjenden në zonat e banuara ose çlirojnë zhurmë që ndikojnë në qendrat e banuara.
4. Punishtet/veprimtaritë e saldimit të metaleve që gjenden në zonat e banuara ose çlirojnë zhurmë që ndikojnë në mjediset e banuara.
5. Veprimtaritë e prodhimit/përpunimit të duraluminit që gjenden në zonat e banuara ose çlirojnë zhurmë që ndikojnë në mjediset e banuara.
6. Veprimtaritë e përpunimit të mermerit dhe gurëve dekorativë që gjenden në zonat e banuara ose çlirojnë zhurmë që ndikojnë në mjediset e banuara.
7. Veprimtaritë e prodhimit të mobilieve në zonat urbane/në brendësi të qendrave të banuara.
8. Veprimtaritë që për shkak të natyrës së tyre përdorin vazhdimisht gjeneratorë/ventilatorë, të cilët lëshojnë zhurmë në mjediset e hapura të zonave të banuara.
9. Nyjat e fraksionimit të mineraleve, në rast se gjenden brenda zonave të banuara ose çlirojnë zhurma që ndikojnë në zonat e banuara.
10. Prodhimi i betonit, llaçit, kollës, gëlqeres (parafabrikateve, blloqeve, paletave etj.), në rast se gjenden brenda zonave të banuara ose çlirojnë zhurma që ndikojnë në zonat e banuara.
11. Punishtet e pijeve alkoolike, produkteve shtazore dhe bimore, në rast se gjenden brenda zonave të banuara ose çlirojnë zhurma që ndikojnë në zonat e banuara.
29 Dhjetor 2010