QSUT, këtë vit asnjë transplant në veshka në pritje mbi 500 të sëmurë
Lizeta Duro
Pas realizimit të transplantit të parë të veshkave në spitalin publik "Nënë Tereza", mjekët tanë premtuan se do të realizohet të paktën një transplant në muaj. Por këtë vit nuk është kryer asnjë transplanto ndonsë sipas të dhënave janë dhjerta e qindra shqiptarë që vuajnë nga veshkat dhe transplanti do të zgjidhte përfundimisht problemin e tyre. Specialistët pohojnë se kanë kërkuar që ndërhyrjet tashmë të realizohen edhe pa asistencën e kirurgëve italianë, pasi këtë mund ta përballojnë vetë mjekët tanë. Një vit më parë burimet zyrtare pranë drejtorisë së QSUT-ës, pohuan se ndërprerja e transplantit është bërë pasi, nuk ishte parashikuar kostoja e tyre në buxhet dhe premtuan se këtë vit që po lëmë pas do fillonin që në muajt e parë.
Thereska
Prof. dr. Nestor Thereska, shefi i Pavijonit të Nefrologjisë në QSUT, në daljet e tij në media ka shpjeguar se mjekët italianë që asistuan në transplantin e parë nuk kanë ardhur, pasi edhe kontratat e tyre me Interreg III kanë mbaruar. Sipas tij kjo është dhe e vetmja arsye që nuk janë realizuar më transplante duke pasur ndërprerje të ndërhyrjeve të tilla kaq të specializuara. Sipas shefit të këtij pavijoni nuk mund të ndërpriten operacionet e transplantit për arsye se mjekët italianë nuk kanë ardhur më për të asistuar gjatë ndërhyrjeve. Thereska është shprehur gjithashtu se ai ka biseduar me kolegët e tjerë dhe u ka kërkuar që transplati i dytë e në vazhdim të realizohet vetëm nga mjekët shqiptarë duke shprehur besim të plotë se stafi i tyre është specializuar për të përballuar me sukses një ndërhyrje të tillë. Thereska, është i vetëdijshëm dhe shpreh keqardhjen e tij që ka plot pacientë që e kanë të nevojshme transplantin e veshkave dhe që shumë prej tyre janë në listë pritje prej kohësh.
Statistikat
Në bazë të statistikave janë mbi 500 të sëmurë që presin për transplant. Studimet tregojnë se një në 10 shqiptarë është i sëmurë nga veshkat, ku si shkak kryesor është mungesa e diagnostikimit të hershëm. Por veç kësaj, edhe neglizhenca e një sërë sëmundjesh, të cilat dëmtojnë veshkat. Te bluzat e bardha në 80% të rasteve pacientët paraqiten atëherë kur janë në gjendje të rëndë. Krahas mungesës së sensibilizimit të qytetarëve për të kryer periodikisht analizat, problemi më i madh për të sëmurët mbetet trajtimi.
Dializa
Qëllimi i Dializës në vetvete është që t’i ndihmojë pacientët në momentet kritike për jetën por jo të vazhdojnë dializën deri në pafundësi. Në Pavijonin e Nefrologjisë në QSUT punohet me turne për t’iu ardhur në ndihmë të sëmurëve që kanë nevojë për shërbimin e dializës dhe për ata që janë në stadin e fundit. Dializa ruan parametrat vitale të organit të veshkës deri sa pacienti të bëhet gati për zëvendësimin e saj. Aparati i Dializës kryen të njëjtin funksion me organin e veshkës por shërbimi nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Të sëmurët kronikë dializohen në bazë të një programi, një ditë po një ditë jo, deri sa pacienti ti nënshtrohet transplantit. Sa më i dëmtuar të jetë organi i veshkës aq më e shpeshtë është dializa. Çdo vit regjistrohen 180 pacientë të rinj që vuajnë nga insuficienca renale dhe që kanë nevojë për dializë derisa të kryejnë transplantimin.
Apeli
Janë me dhjetëra pacientë që presin të realizojnë transplantin e veshkave në sistemin publik, sepse në atë privat nuk i përballojnë dot kostot por me sa duket, kjo ka mbetur vetëm një ëndërr për ta. Pacientët që trajtohem me dializë në Pavijonin e Nefrologjisë në QSUT, u bëjnë apel instancave kompetente të rifillojnë transplantet. Sipas tyre ata nuk mund të vazhdojnë të marrin shërbimin e dializës përjetësisht sepse kjo i kushtëzon në kryerjen e një jete normale. Pacientët tregojnë se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për ta, madje disa prej tyre shprehen se familjarët e tyre kanë dalë vullnetarë për t’iu dhuruar organin e veshkës por që mungojnë mjekët për të kryer transplantin. Në të gjitha rastet e transplanteve që do të kryheshin në QSUT do të zbatoheshin të njëjtat rregulla që zbatohen për operacionet e tjera të zakonshme. Pra pacientët që kryejnë një transplant në spitalin publik më të madh në vend, nuk do të paguajnë asnjë shumë kur janë të siguruar dhe barnat që ata do të detyrohen t’i marrin gjithë jetën dhe që quhen barna jetikë do të jenë të rimbursueshme. Kjo gjë u arrit me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë e cila ka mundësuar marrjen e projektit por edhe financimin e tij si dhe në bashkëpunimit me ISSH-në.
Transplanti
Të sëmurët që drejtohen për të bërë një transplantim janë ata që tashmë ndodhen në gradat e fundit dhe transplanti mbetet shpresa e fundit ose ndryshe kalojnë në hemodializë. Veshka zakonisht dhurohet nga një i afërt i pacientit, që mund të jetë nëna, babai, motra, vëllai. Pra pasi bëhen të gjitha procedurat e nevojshme dhe përcaktohet dhuruesi bëhen të gjitha analizat e nevojshme dhe më pas mund të kryhet operacioni. Sipas specialistëve, më parë ekzistonte një protokoll i tillë që të sëmurët çoheshin, në rrugë shtetërore, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, jashtë shtetit për të bërë një operacion të tillë si p.sh në Itali, Turqi, ndërsa tani ky operacion mund të kryhet në Shqipëri. Për regjistrimin e të gjithë të sëmurëve të rinj ekziston një rrjet që është i shpërndarë në të gjithë Shqipërinë dhe ai i mundëson pacientëve regjistrimin. Kryerja e operacionit ka dy aspekte dhe ndahet në dy faza që konsistojnë në heqjen e veshkës së shëndoshë nga dhuruesi dhe vendosja e saj tek marrësi. Janë dy ekipe që punojnë në dy salla operacioni njëkohësisht dhe ky operacion mund të zgjasë rreth dy orë, pra sa një operacion i zakonshëm.
29 Dhjetor 2010