E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfitimi financiar, sa para do të përfitojnë të verbrit dhe tetraplegjikët



Qeveria përcakton përfitimin financiar për të verbrit dhe personat me aftësi të kufizuar. Udhëzimi i qeverisë, i botuar dje në Fletoren Zyrtare, parashikon që kategoria e personave që kanë statusin e të verbrit do të përfitojë 10 200 lekë në muaj, personat që kanë statusin e paraplegjikut do të përfitojnë 9500 lekë në muaj, ndërsa tetraplegjikët 9000 lekë në muaj.
Në udhëzimin e qeverisë parashikohet që edhe kujdestari i personave me statusin e të verbrit do të përfitojë 10 200 lekë në muaj.

Udhëzimi

“Udhëzimi Nr. 2209, datë 25.11.2010, mbi zbatimin e Vendimit Nr. 277, datë 18.7.1997 të Këshillit të Ministrave ‘Për përfitimet nga statusi i të verbrit’, të ndryshuar thotë se masa e përfitimit për shkak të verbërisë, është bërë 10 200 (dhjetë mijë e dyqind) lekë në muaj. Në këtë udhëzim ka ndryshuar edhe masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar. Mbështetur në pikën 4 të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në Ligjin Nr. 9355, datë 10.3.2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, dhe në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 618, datë 7.9.2006 “Për përcaktimin e kritereve të dokumentacionit dhe masës së përfitimit të pagesës për personat me aftësi të kufizuar”, të ndryshuar, masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, të përcaktuar në pikën 8 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 618, datë 7.9.2006, është 9 000 (nëntë mijë) lekë në muaj për personat e përcaktuar në pikën 1 të vendimit. Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i personit me aftësi të kufizuar, parashikohet në udhëzimin e qeverisë.

Kujdestarët

Sipas udhëzimit, të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i të verbrit. Masa e përfitimit për kujdestarin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të përcaktuar në pikën 4 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 31, datë 20.1.2001, është 9 500 (nëntë mijë e pesëqind) lekë në muaj, 10 200 lekë për kujdestarët e të verbërve dhe 9 000 lekë për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, persona këta të përcaktuar në pikën 2 të vendimit.

Kërkesat

Të rritet indeksi i ndihmës ekonomike, kujdestarisë dhe higjienës sanitare. Këto ishin disa nga kërkesat kryesore të Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara pikërisht më 3 dhjetor, datë kjo e cila shënon ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara. Të mbledhur para Universitetit Politeknik ata protestuan për rreth një orë me shpresën se kërkesat e tyre do të arrinin të plotësoheshin. Ata i nisën edhe një kërkesë kryeministrit lidhur me kërkesat e tyre.

29 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›