E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzimi, penalizimet për kalimin në privat

20/11/2009  Pedagoget /Urdhri i ri përcakton mbulimin 100% me pagë për orët shtesë të stafeve

Largim nga puna për mësimin tek masterat dhe doktoraturat e privatit

Stafet akademike të universiteteve publike që nuk do të respektojnë rregulloren për plotësimin e orëve akademike duke u angazhuar edhe në strukturat private, do të largohen nga puna. Kreu i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka pohuar gjatë ditës së djeshme se masa e largimit nga puna do të merret për të gjithë ata pedagogë që tashmë janë miratuar si pjesë e stafit të UT-së e që angazhohen pranë fakulteteve private për të dhënë mësim në ciklet e dyta apo të treta të studimeve. Marrja e këtij vendimi, sipas rektorit Kule, ka ardhur pas ankesave të shumta të depozituara nga studentët për problemet e shfaqura në mungesat e stafeve akademike në plotësimin e orëve mësimore për ciklin e studimeve “master” dhe ato të doktoraturës. Megjithatë, ky urdhër do të jetë i vlefshëm vetëm për programet e specializimit “master” dhe ato të doktoraturës, ndërsa në ciklin e parë nuk do të vendoset ky penalizim (pritet që të zbatohen rregulla të tjera në këtë rast). Për këtë Kule shpjegon: “Nuk do të lejohet angazhimi i pedagogëve pranë universiteteve private për ciklet e dyta dhe të treta, ndërsa në ciklet e para po. Për këtë universitet private duhet të bëjnë kërkesë zyrtare për emrat nominalë të stafeve që duan të angazhojnë për ciklet e para të studimeve.” Pas hartimit të kësaj kërkese (ku detajohen emrat e pedagogëve dhe lëndët për të cilat kërkohen që të japin mësim), jepet miratimi nga drejtuesit e universiteteve publike, vendim i cili merret gjithmonë në respektim të ngarkesës mësimore të përcaktuar për strukturat publike. Aktualisht është përcaktuar lista zyrtare e pedagogëve që do të japin mësim në UT për vitin akademik 2009-2010, ku bëjnë pjesë 948 emra të botës akademike. Këta të fundit e kanë të ndaluar kategorikisht punësimin në strukturat private për programet e dyta dhe të treta të studimeve.

Ngarkesa mësimore

Përcaktimet e fundit të bëra mbi kohëzgjatjen e ngarkesës mësimore që stafet akademike duhet të plotësojnë në auditorët e universiteteve publike do të shoqërohen me ndryshimin e orëve të përcaktuara në udhëzimin e majit të 2008-s. Aktualisht ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, po shqyrton këtë udhëzim për ristrukturimin e rishpërndarjen e ngarkesës mësimore të pedagogeve në universitete. Për këtë vit akademik pranë Universitetit të Tiranës janë kontraktuar si staf i brendshëm 948 pedagogë të lëndëve të ndryshme studimore.

Punësimi privat

Udhëzimi më i fundit i nxjerrë nga Universiteti i Tiranës për mbulimin e procesit mësimor me stafin e dukur akademik kërkon që “të gjitha strukturat drejtuese të UT-së dhe njësitë përbërëse të tij të marrin masa për forcimin e zbatimit të detyrimeve ligjore për personelin akademik dhe stafin administrativ që ato drejtojnë. Personeli akademik efektiv të mos angazhohet në mësimdhënie në institucionet private të arsimit të lartë në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve. Në rast se pedagogët do të thyejnë këtë rregull, do të ketë masë ndëshkimore, që do të jetë e menjëhershme me largim nga puna.

Pagesa orët shtesë

Përveç pagës që do të marrin për plotësimin e orëve zyrtare, pedagogët do të paguhen edhe për orët mësimore që do të japin plus ngarkesës së përcaktuar në normën mujore. Ndonëse më parë kjo ka funksionuar pjesërisht, rektori ka sqaruar se është ndërmarrë një tjetër urdhër nga strukturat drejtuese të UT-së, ku thuhet se do të mbulohen të plota të gjitha orët shtesë që pedagogët do të zhvillojnë në universitete. Sipas Kules, ka një tjetër udhëzim për orët shtesë që mund të kryejnë pedagogët, të cilët do të paguhen në masën 100%, çka pritet të konfirmohet pas nxjerrjes së ndryshimeve në udhëzimin e 2008-s.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›