E Shtunë, 31 Tetor 2026

“One Stop Shop” për minierat vitin e ardhshëm

20/11/2009  Ministria e Ekonomisë

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është duke përgatitur kuadrin ligjor për ngritjen e një sporteli unik për minierat gjatë vitit të ardhshëm. Kërkesat për koncesione në sektorin minerar nga investitorë vendas dhe të huaj janë të mëdha, për faktin se vendi ynë është i pasur me minerale, si krom, bakër, apo nikel. Ky sportel është një ndihmë më shumë për investitorët vendas dhe të huaj që kërkojnë të investojnë në këtë sektor. Sporteli do të përfshijë pajisjen me leje dhe licenca, apo gjithë dokumentet e nevojshëm për nisjen e një aktiviteti privat në sektorin e minierave, brenda një afati kohor të shkurtër. Madje, parimi i miratimit në heshtje do të jetë i vlefshëm edhe në këtë institucion, nëse brenda një afat të përcaktuar nuk do të jepet përgjigje zyrtare. Tashmë është ngritur grupi i punës që po diskuton hartimin e ligjit për funksionimin e këtij sporteli. Qeveria ka vendosur që të miratojë edhe një qendër unike për sektorin e energjisë, ide që është bërë publike pak kohë më parë nga vetë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Iniciativat e reja që po programohen për t’u vënë në funksion të stimulimit më të mirë të ekonomisë shqiptare dhe rritjes së bashkëpunimit me biznesin janë pikërisht “One Stop Shop” për energjinë dhe minierat, projektligji për pronësinë që do të ofrojë garancinë e pronës për investitorët e huaj, heqja e TVSH-së për arsimin, ulja e taksave në sektorin shëndetësor, hartimi i skemës së garantimit të kredive, hapja e zonave të reja industriale dhe sigurisht vazhdimi i investimeve të rëndësishme publike në infrastrukturën rrugore e më gjerë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›