“Rrënojat” e kopshtit zoologjik
Parku kombëtar zoologjik në Tiranë duket se e ka humbur funksionin e tij kryesor, të shuajë kuriozitetin e njerëzve mbi kafshët. Tashmë ky institucion, më shumë shërben si vend për t’u çlodhur dhe argëtuar në hapësirën e tij të gjelbër sesa për të parë. Sipas drejtuesve të këtij institucioni, arsyeja kryesore se pse ky vend nuk tërheq vëmendjen e njerëzve është se larmishmëria e kafshëve tashmë është e pakët. Deri tani janë vetëm gjashtë lloje kafshësh si luani, ariu, dhelpra, ujku dhe disa lama. Përgjegjësi i kopshtit zoologjik, Rrapi Selami, thotë se arsyeja për gjendjen e krijuar është se “fondet e akorduara për zgjerimin e kopshtit zoologjik janë shumë të pakta, madje të papërfillshme”. Më tej, ai shton se “ne kemi bërë disa herë kërkesa për zgjerimin dhe përmirësimin e tij, por nga ne nuk varet asgjë”. Parku zoologjik tashmë ka marrë një drejtim tjetër, atë të argëtimit duke qenë se hapësira e gjelbëruar dhe e mbajtur pastër është ajo çka i tërheq njerëzit më shumë. Vizitorët më shumë vijnë për ambientin e gjelbëruar sesa për të parë kafshët. Në vendin ku jeton luani, dhelpra dhe ujku qytetarët nuk shkojnë t’i shikojnë për shkak të erës së rëndë. Zoti Selami thotë se “kanë ardhur kompani për të investuar, por kur kanë parë kopshtin, janë larguar për arsye se e kanë parë që ky vend nuk mund t’u sjellë asnjë fitim”. Ndërsa rreth kafshëve nuk ka asnjë kuriozitet të ri, pasi janë po të njëjtat prej shumë vitesh dhe përveç lamave.
Ashtu siç tregon zootekniku i kopshtit, Astrit Mestani, “në fillim kemi pasur vetëm një çift lamash, të cilat janë çiftuar dhe numri i tyre tani arrin në 12 të tilla”. I pyetur nga “standard” se pse lamat nuk shkëmbehen me kafshë të tjera nga kopshtet zoologjike homologe, zoti Mestani ka thënë se “jemi duke bashkëpunuar për të shkëmbyer lamat me kafshë të tjera, por nuk ka një datë të përcaktuar se kur”. Më tej ka shtuar se “ne kërkojmë që kopshti zoologjik duhet të pasurohet dhe të ruhet”. Ndërsa për sa i përket anës shëndetësore të kafshëve, zootekniku Mestani thotë se “çdo kafshë është e pajisur me kartelë dhe se ushqehen rregullisht e me ushqim të freskët”. Por ajo çka vërehet është se edhe pse ushqehen mirë, luanëve duket sikur u zihet “fryma” në një hapësirë prej disa metra katrorësh, ku në të njëjtat kushte janë ujku dhe dhelprat. Gëzimi i vërtetë i këtij parku zoologjik janë dy arusha, të cilat edhe pse janë në gjendje të fjetur (letargjike), duket se ndihen mirë në vendin e ngritur posaçërisht për to. Një pjesë tjetër e parkut, së cilës i ka humbur shkëlqimi janë edhe liqenet e vegjël. Tani ato më shumë të krijojnë përshtypjen e disa minikënetave, pasi uji i tyre është i zi, ku “banorët” e tyre të vetëm janë disa bretkosa. Po ashtu godina që dikur njihej si “shtëpia” e zogjve, mes të cilëve dhe fazanë, tashmë është thjesht një “rrangallë” e vjetruar dhe e prishur. Një tjetër rrezik që i kanoset kopshtit janë pallatet shumëkatëshe, të cilat duken sikur i kanë zënë frymën. Me pallatet e ndërtuara në të katërta anët e tij, duket sikur edhe pak jetë i ka mbetur këtij vendi çlodhës në Tiranë. Gjithashtu nga ndërtimet e pallateve është ulur dhe niveli e murit rrethues, të cilin shumë lehtë mund ta kalojë dhe një fëmijë. Sipas zotit Selami, është parashikuar ndërtimi i një muri rrethues mbi 2 metra të lartë, por deri tani këto janë vetëm projekte në letër.