E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uithers: Kam folur në emër të qeverisë së SHBA

INTERVISTË - Për SHISH-in, qeveria e Berishës shkeli marrëveshjen me NATO-n që të mos ndërhynte për 3 vjet

Ambasadori flet për Gërdecin, SHISH-in, Zgjedhjet: "Mbroni demokracinë tuaj!"


Në këtë intervistë për emisionin "Top Story", të cilën po e risjellim për lexuesin e Shekullit me shkurtime, ambasadori amerikan në Tiranë, Uidhers, flet mbi arsyet e kundërshtimit të projektligjit të SHISH-it, përplasjet me një pjesë të politikës së Tiranës, duke theksuar vazhdimisht që ai flet në emër të qeverisë së SHBA dhe se kush mendon ndryshe, nuk e njeh as funksionimin e administratës amerikane dhe as karakterin amerikan.


Z. Ambasador, ç'mendoni për Shqipërinë, demokracinë shqiptare, rrugën që po ecën dhe sfidat që e presin?


Mendoj se një nga përshtypjet me të gjalla që do mbart me vete, është forca e miqësisë mes SHBA dhe Shqipërisë. Kjo është një miqësi me rrënje historike që shkojnë në dekada. Mua më ka prekur fakti që gjatë këtyre tre viteve kam vazhduar të shoh rritjen e kësaj miqësie dhe thellësinë e saj.


Është një përgjigje e pjesshme zoti ambasador sepse pyetja ime ishte edhe për demokracinë. Keni ardhur tre vjet më parë. Si e shikoni sot demokracinë shqiptare dhe cilat janë sfidat që ajo ka përballë.?


Mendoj se gjatë viteve të fundit ka pasur probleme që janë shfaqur dhe të cilat unë i kam diskutuar shumë hapur me ju dhe popullin shqiptar. Ju i njihni siç i njoh edhe unë.


Ka pasur shqetësime në lidhje me pavarësinë e institucioneve, veçanërisht gjykatat, shqetësime me drafte të caktuara ligjore si ligji pastrimit të figurave dhe më së fundi ligji i shërbimit informativ. Unë mendoj se demokracia e çfarëdo lloj qeverisje nuk është statike, nuk është diçka që arrihet dhe bëhet e përhershme. Ajo është diçka që gjithmonë evokon.


Qoftë në SHBA, Francë, Suedi, apo Shqipëri, ajo që është me rendësi kritike është që të ushqehet kjo ecje përpara e demokracisë. Është me rendësi themelore në këtë vend dhe në vende të tjera, që demokracia të mbrohet, që ajo të bëje përpara.


Të kryejë funksionin e saj themelor që është ti shërbeje mirëqenies dhe aspiratave pozitive të popullit shqiptar. Nëse unë do të kisha një këshillë për popullin shqiptar në përgjithësi do të ishte shumë i thjeshtë: Mbrojeni demokracinë tuaj!


Ky është një mesazh shumë i fortë dhe shumë i rëndësishëm për shqiptaret sidomos kur vjen nga SHBA. Kur thoni "mbroni demokracinë tuaj", a mos vallë ajo është në rrezik?


Unë besoj se sistemet demokratike më shumë se çdo sistem tjetër më shumë se sistemet absolutiste apo monarkike ose janë në rritje ose janë në rënie. Dhe në këtë këndvështrim demokracitë janë në një këndvështrim të caktuar në një lloj kërcënimi.


Ajo që është e domosdoshme është që drejtuesit, publiku media, institucionet të ushtrojnë funksionet e tyre të mbështesin parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar kjo shoqëri. Pra, demokracia nuk është diçka që jepet njëherë e përgjithmonë pa kosto, është diçka që fitohet dhe duhet të fitohet në mënyrë të vazhdueshme në procesin e kohës...


Jeni duke ikur, por duke ikur u është dashur të ndërhyni edhe njëherë për projektligjin e shërbimeve inteligjente. Pse opinioni i SHBA është kundër këtij ligji?


Mendoj se janë një sërë arsyesh që ne kemi shqetësime. Ne jemi thellësisht të shqetësuar për çdo draft projektligj apo çdo lëvizje apo çdo ndryshim strukturash apo personeli që do të dobësonte apo mund të minonte profesionalizmin e institucionit, autonominë e institucionit apo të mund të politizonte institucionin në një mënyrë të tillë sa do të dëmtonte karakterin e tij themelor demokratik dhe aftësinë për të vepruar në një kontekst demokratik.


Së dyti jemi të shqetësuar për implikimet e këtij ligji për statusin dhe pozicionin e Shqipërisë në NATO. NATO në nivelet e saj më të larta i shprehu haptas shqetësimet e thella dhe mendoj se njerëzit që e dëgjojnë diskutimin tonë të mbajnë në mendje elementët e procesit të hyrjes së Shqipërisë në NATO.


Ndërsa Shqipëria u përpoq që të arrinte kërkesat për hyrje në NATO, institucione si SHISH ishin temë e një vëmendje dhe punë të madhe për t'i sjellë këto institucione në standardin që NATO kërkon për çdo anëtar.


Shqipëria ndërmori një angazhim dhe ndoshta shumë qytetarë nuk janë në dijeni të këtij fakti, institucione të tilla si SHISH dhe institucione të tilla të ngjashme nuk mund të ndryshoheshin për një periudhe tre vjeçare pas anëtarësimit të Shqipërisë.

Nëse do të ndërmerreshin ndryshime të tilla këto ndryshime do të vinin një proces rivlerësimi nga ana e NATO-s. Ne nuk duam që pas një angazhimi të qëndrueshëm të Shqipërisë dhe të përkushtuar ndaj procesit të anëtarësimit të ndërmerrte ndonjë veprim që mund të komplikonte funksionimin e saj të vazhdueshëm në organizate.


Ju siguroj që në opinionin publik ky detaj nuk dihet, sot po e dëgjojmë për herë të parë që këto institucione nuk duhet të prekeshin për një afat tre vjeçar. Ajo që nuk kuptojnë është se pse mazhoranca tentoi ta ndryshojë këtë institucion duke shkelur këtë moratorium vendosur nga Nato? E dyta kur vjen puna te shërbimet sekrete ka një lloj misteri, vishen me një pallto misteri ekstra sipër.


Po ju përmend amendamentin e parë të kushtetutës amerikane që është transparenca dhe në emër të saj a ka diçka që nuk thuhet në debatin për SHISH dhe që mund të thuhet tani...?


Pjesa e parë e pyetjes suaj. Unë nuk jam në atë pozicion që mund ti jap përgjigje.
Persë i përket funksionet e shërbimit informativ, sigurisht ne jetojmë në një botë ku kemi të nevojshme që të kemi në përdorim të gjitha instrumentet e mbrojtjes kundër armiqve shumë të rrezikshëm që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë në mbarë botën.


Dhe është në vëmendje - veçanërisht në epokën tonë - terrorizmi. Kam në mend bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit me Shqipërinë. Ka qenë i shkëlqyer në nivel të lartë profesional dhe ky bashkëpunim duhet të çohet me tej. Të zhvillohet me tej dhe të vazhdohet me tej në ato baza në të cilat kemi punuar kaq mirë deri më tani.


Zoti ambasador kaq fort sa ç'keni ndërhyre për ligjin e shërbimeve inteligjente mbaj mend që ndërhytë për ligjin e lustracionit. Prej asaj dite nuk kanë munguar deri me sot, sulme nga oborri i mazhorancës se i bëni një zbatim personal politikës së SHBA-së në Shqipëri?

(qesh...).Mendoj se ata persona ose janë të keqinformuar ose janë të paditur për mënyrën se si funksionon sistemi qeverisjes amerikane. Gjate tre viteve që unë kam shërbyer në Shqipëri, unë nuk kam bërë asnjë deklaratë politike të një çështje me rendësi politike mbi baza personale.


Dhe një gjë e tillë nuk është e mundur.
Një ambasador i SHBA flet në emër të qeverisë së SHBA. Ne jemi përfaqësuesit personale të Presidentit te SHBA në vendet ku jemi akredituar.


Veprimet tona janë të koordinuara ngushtë në tërë strukturën e shërbimit diplomatik të qeverisë sonë në Uashington. Kushdo që thotë apo bën komente të tilla, thjesht nuk e kupton mënyrën se si ne funksionojmë ose përpiqet të dobësojë qëndrimin që SHBA ka marrë në çështje të caktuar...


Unë besoj se tashmë do të jetë e qartë se sekretarja Klinton mbështet plotësisht gjërat që ne jemi duke bërë në Shqipëri, sepse ato janë në përputhje të plotë me bindjet e saj të thella politike. Dhe nuk mendoj se do të ketë ndonjë ambiguitet në lidhje me këtë.


Z .Ambasador megjithatë nga mazhoranca nuk e fshehin që ju Xhon Uidhers po largoheni. Tek e djathta është bërë publik fakti se SHBA-të indetifikohen me antikomunizmin dhe një nga argumentet e përdorura kundër jush si ambasador është qëndrimi që mbajtët ndaj ligjit për lustracionit që në fakt ndëshkon të shkuarën komuniste.


Dhe jeni interpretuar në një farë mënyre se i keni bërë apologjinë komunizmit dhe i jeni kundërvënë një kryeministri të djathtë. Ndërkohë nuk ka pasur nga ju asnjë kritike për opozitën.


Unë shpesh argëtohem nga komente që bëhen nga gazetarët shqiptarë por edhe nga politikanë që në një mënyrë apo tjetër përpiqen t'i japin jetë një nocioni të një marrëdhënie të vështirë personale mes - le të themi - politikaneve me njëri-tjetrin, apo marrëdhënieve personale mes meje dhe një zyrtari tjetër.


Me lejoni të them shumë qartë: Unë nuk kam asnjë vështirësi personale në marrëdhëniet e mia me askënd qofshin këta në qeveri apo opozitë. Unë kam respektin më të thellë për të gjithë zyrtarët që kam pasur privilegjin t'i takoj në Shqipëri.


Përmenda termin që është argëtues koncepti që një ambasador amerikan do merrte krahun e njërës palë apo tjetrës. Mendoj se shfaqjet e mija publike dhe ky historiku im publik është i qartë. Se unë gjithmonë i kam shprehur mendimet e mija qartazi për secilin krah.

Po të shikosh këtë historik pozicionesh mendoj se shikon qartë se si nga pikëpamja publike apo dhe nga marrëdhënia private kemi diskutime të hapura me të gjitha grupet në vend.


Për cilindo që ka pasur mundësi të më vëzhgoje në Shqipëri gjatë këtyre 3 viteve, do ishte e pamundur që të mendonte se unë flas në emër të dikujt tjetër përveçse në emër të qeverisë amerikane. Ne si amerikanë jemi goxha strikt në bindjen tonë. Flasim haptazi, por gjithmonë flasim në emër të qeverisë tonë dhe popullit tonë. Dhe këtë të drejtë nuk do lejonim të na e hiqte askush.


Dy vjet pas Gërdecit zoti Uidhers, çfarë mendoni se ndodhi atje...?


Unë jam i shqetësuar nga ajo çka nuk ka ndodhur. Dhe unë do ta shprehja në këtë mënyrë. Ne të gjithë na kujtohet ajo ditë e tmerrshme. Na kujtohen të gjithëve ato imazhe të ripërsëritura në mënyre të vazhdueshme të qytetareve që çoheshin me shpejtësi drejt spitalit, që rridhnin gjak nga copëzat e predhave që kishin prekur trupat e tyre. 26 qytetarë humbën jetën. Qindra u plagosën. Pasuri të tera u shkatërruan. Të gjithëve na kujtohen.


Unë do ti bëja një pyetje shqiptarëve. Jo vetëm atyre që ishin viktima por qytetarëve të këtij vendi: A është vënë drejtësia në vend për këtë çështje? Unë mendoj se kjo është një pyetje për qytetaret shqiptarë se është një gjë që i shqetëson ata thellësisht dhe që duhet ta ndjekin.


Pyetja tjetër është: A po vihet drejtësia në vend, a u shfrytëzua gama e plotë e shkeljeve të mundshme që mund të jenë kryer atje, a po eksplorohen ato në tërësinë e tyre? Aty janë të gjithë ata që mund të kenë pasur një rol në atë që ndodhi. Janë duke u ekzaminuar me tërë përpikërinë që kërkon drejtësia?


A po përdoret dispozita arkaike e imunitetit që pengon një hetim dhe një kërkim për të vendosur drejtësinë e plote në emër të atyre qytetarëve që vuajtën?


Kjo është ajo që unë mendoj se është puna e papërfunduar e Gërdecit. Për aq kohë sa drejtësia e plotë - dhe jo drejtësia e pjesshme - është akoma pa u përmbushur dhe nuk po ndiqet, atëherë mendoj se ka një mungese përfundimi të kësaj çështje. Unë nuk po e drejtoj gishtin ndaj askujt.


Unë nuk e di se kush është i pafajshëm dhe kush fajtor, por që të pengosh aftësinë e njerëzve për të ndjekur një hetim të plotë, nuk më duket mënyra për të vënë në vend drejtësinë. Dhe deri sa të vendoset kjo drejtësi është sikur ato plagë të vazhdojnë të kullojnë gjak.


Si i gjykoni ju zgjedhjet e 28 qershorit si proces i tërë? D.m.th përfshirë edhe atë të numërimit?


Vlerësimi i zgjedhjeve në përgjithësi në tërësinë e tyre është shprehur nga gjithë vendet tona përfshirë edhe SBA. Ne njohëm dhe vumë re elemente pozitive të zgjedhjeve përparime të këtyre zgjedhjeve që ishin të dukshme, por mendoj që pas kësaj mbeten dy pyetje të rëndësishme:


Pyetja e parë është se ajo shpresë që unë shpreha se qytetaret e Shqipërisë të kishin një ditë të mirë të nesërmen a doli? Kjo shpresë nuk doli e tillë. Ne jemi përballur me një krizë politike të vazhdueshme mes opozitës dhe mazhorancës.


Ka një konfrontim që ka vazhduar dhe ka dëmtuar të mirën e vendit dhe unë mendoj që është me rëndësi absolute që të gjendet një mënyrë për zgjidhjen e kësaj dileme që vendi të jetë në gjendje që të rikthehet te vëmendja për të gjitha çështjeve që janë me rendësi për të.


Mendoj se pasardhësi im zoti Arvizu, e shprehu aq mirë në fjalën e tij dhe unë dëshiroj ta citoj: në momente të caktuara duket sikur klasa politike shqiptare është më e shqetësuar për rivalitetet brenda saj se sa për të mirën e qytetareve të zakonshëm.


Ju e njihni zotin Arvizu?


Së pari me lejoni të shprehem në mënyrën më të saktë: Ambasadori Arvizu është akoma i propozuar, pra ai do të bëhet ambasador në përfundimin e procesit. Unë kam pasur privilegjin ta takoj Aleksin. Po merrni në Tiranë një nga diplomatët tanë më të mirë.

Nga e djathta pëshpëritet se ky i riu që do të vijë do na lërë rehat deri në zgjedhje lokale nga e majta thonë se ky i riu vjen për gjëra të mëdha. Në fakt çfarë ndryshon në politikën e SHBA-së pas ikjes suaj?


Unë nuk kam asnjë ide se nga po i marrin këto informacione këto grupe politike. Çfarë do ndryshoje? Do të vijë një ambasador i ri me ide të reja me sy të freskët me energji të mëdha. Por ajo që nuk ndryshon është politika e SHBA dhe kushdo që dyshon të kundërtën po bën një lojë. Kushdo që beson se politika amerikane lëviz në drejtimin që merr era mendoj se nuk e kupton ose e keqkupton thellë karakterin amerikan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›