PS: Mesazhi i DASH, paralajmërim ndaj Berishës

Deputeti socialist, Ditmir Bushati: Ankesat ndaj SHBA dëshmojnë një sharlatanizëm politik
Partia Socialiste vlerësoi dje se letra e dërguar nga Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, Filip Gordon, është një qëndrim i rikonfirmuar i qeverisë amerikane në lidhje me zgjidhjen e shpejtë të krizës politike dhe garantimin e pavarësisë së funksionimit të institucioneve.
Në një komunikim për mediat, deputeti socialist, Ditmir Bushati, u shpreh se është e pafalshme që Sali Berisha me praktikat okulte të '96-'97, përdori Lulzim Bashën në 2008 dhe Ilir Metën në 2010, respektivisht me administratën Bush dhe Obama, për t'u ankuar ndaj përfaqësuesve diplomatik të SHBA-ve.
"Konsiderojmë në të njëjtën kohë se mesazhi i Departamentit Amerikan të Shtetit është një paralajmërim i qartë ndaj aventurës së Sali Berishës për të vënë nën kontrollin personal çdo qelizë të shtetit të së drejtës, përfshirë edhe Shërbimin Informativ Shtetëror",- u shpreh Bushati.
Nga ana tjetër, deputeti socialist konsideroi se ankesat e qeverisë shqiptare ndaj qëndrimeve të Ambasadorit të SHBA-ve dëshmojnë një sharlatanizëm politik dhe mungesë sensi e përgjegjësie kombëtare, kur dihet nga praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare se një ambasador përfaqëson qëndrimet dhe pikëpamjet e vendit të vet.
Sipas ekspertit socialist për çështjet diplomatike, "qëndrimet e Ambasadorit në ikje Uidhers dhe atij në ardhje Arvizu në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri ngjasojnë si dy pika uji, pasi nuk janë qëndrime personale, por qëndrimet e aleatit kryesor të kombit shqiptar, SHBA-ve".
Përpos kësaj, zyrtari i selisë rozë thekson se këto veprime të qeverisë së Sali Berishës janë edhe më të dënueshme në kushtet kur roli gjeopolitik i shqiptarëve në rajon është rritur ndjeshëm, sidomos dekadën e fundit, falë mbështetjes së vyer të SHBA-ve.
Në emër të Partisë Socialiste, Ditmir Bushati rishprehu vlerësimin e partisë së tij për kontributin e Ambasadorit Uidhers në çuarjen përpara të marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona dhe posaçërisht ndihmën e tij për Shqipërinë në procesin e demokratizimit dhe integrimit euro-atlantik.
"Qeverisja jonë e nesërme do t'i japë fund këtyre luhatjeve të turpshme në raport me partnerin kryesor të kombit shqiptar dhe kurrë më SHBA nuk do ndeshen me situata të kësaj natyre, sepse me ne në qeveri do të marrë fund pushteti i arrogancës provincial", nënvizoi deputeti socialist.