E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujërat rrezikojnë edhe Velipojën. Banorët e Dajçit nisin të tremben, fillon evakuimi masiv

Gjendja në zonën e Nënshkodrës gjatë ditës së djeshme ka qenë tepër kritike për shkak të rritjes së ndjeshme të nivelit të ujit në zonat e banuara. Konkretisht, rreth 5 mijë hektarë tokë është nën ujë, ndërsa janë mbi 3 mijë banorë të cilët e kanë të domosdoshëm evakuimin. Në Dajç, niveli i ujit është 70 cm mbi nivelin e detit dhe duhen vetëm pak centimetra që uji i lumit Buna të kalojë argjinaturën. Banorët e zonës së Obotit vazhdojnë të refuzojnë evakuimin, ndërsa në Dajç, sipas shtabit të emergjencës, deri dje pasdite ishin evakuuar rreth 130 familje, pjesa më e madhe e të cilëve janë sistemuar te të afërmit. Duke folur për gazetën, Kryetari i Komunës Dajç, Arben Gjuraj, thotë se “Situata sa po vjen e bëhet më kritike, niveli i ujit pasdite është rritur ndjeshëm. Pavarësisht se kemi evakuuar 130 familje, kemi dhe 600 familje që rrezikohen seriozisht nga uji. Pavarësisht lutjeve të shumta që po u bëjmë për evakuim, banorët ende nuk janë ndërgjegjësuar se duhet të lënë shtëpitë, pasi priten përmbytje. Në këto kushte që jemi sot, nuk na ka mbetur asgjë veç të përdorim evakuimin e detyruar dhe me sa shihet, drejt asaj rruge duhet gjetur zgjidhja”, tha kryekomunari.
Sipas tij, është hasur një “rezistencë e çuditshme”, që e ka bërë situatën problematike. “Ka dhe një aspekt tjetër kjo situatë, sepse banorët, duke parë se para shtëpive të tyre qëndrojnë gjithë natën forcat e policisë e të ushtrisë, ndihen të sigurt me mendimin se po të vijë uji, ushtria do t’i nxjerrë nga situata. Por ky është një mendim i gabuar, se në momentin që uji hyn, nuk ka kohë pastaj për evakuim masiv”, tha ai.
Pavarësisht sjelljes së banorëve, komuna ka marrë të gjitha masat dhe i ka të gjitha kapacitet për të evakuuar banorët dhe bagëtitë. “Mbajmë çdo 15 minuta nën kontroll nivelin e ujit. Kemi të gjithë zonën të mbuluar me mjete e forca të ushtrisë dhe policisë. Jemi në një situatë gati katastrofike, ndaj banorët duhet të na kuptojnë, sepse kur të hyjë lumi Buna brenda Dajçit, pastaj asgjë nuk mund të kontrollohet dot.
Do të mbetemi në mëshirë të fatit atëherë...”, tha kryekomunari dje pasdite, kur niveli i ujit kishte nisur të rritej frikshëm. Rritja e nivelit të ujit bëri që një numër i madh familjesh të binden dhe të nisin evakuimin në orët e mbrëmjes. Shtimi i prurjeve të lumenjve ka bërë që dje të rrezikohet nga izolimi edhe Velipoja, pasi rruga e vetme që lidh këtë komunë me pjesën tjetër të vendit u mbulua nga uji. Veturat e kanë pasur të pamundur të përshkojnë rrugën dje, por fuoristradat, furgonët dhe kamionët kanë mundur të kalojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›