Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit janar
Galeria “Zenit” për të gjashtin vit me radhë ka çelur në fillim të muajit janar ekspozitën tashmë tradicionale të ndërrimit të viteve, të titulluar “E-ndërrimi i viteve”. Si çdo vit, në këtë ekspozitë paraqesin punët e tyre të gjithë ata artistë që kanë ekspozuar veprat e tyre gjatë vitit të kaluar në këtë galeri.
Boshtin e edicionit të gjashtë të kësaj ekspozite e përbëjnë punët artistike të Artur Tashkos, piktor konstruktivist me një krijimtari shumë të njohur në lëvizjen kubiste dhe që i përket plotësisht kulturës kolumbiane. Për herë të parë veprat e tij u bënë të njohura gjatë vitit 2009 në galerinë “Zenit”. Ai ishte vëllai i sopranos Tefta Tashko Koço. Jetoi e punoi në Kolumbi. Ishte bashkëkohës i piktorëve të mëdhenj si Picasso, Leger, Arp, Pollock, Kooning e shumë të tjerë.
Gjithashtu në këtë ekspozitë të përvitshme do të shfaqen edhe punë të piktorit Artan Shabanit dhe të katër artistëve italianë Stefano Romano, Francesco Pedrini, Andrea Nacciarriti dhe Claudia Losi, pjesë e ekspozitës “4 ways to...”, të cilët morën pjesë në bienalen e Tiranës këtë vit. Ekspozita do të jetë e hapur gjatë gjithë muajit janar.